MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si mjekohet struma e tiroides?

29.05.2020 - 08:05

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Si mjekohet struma e tiroides?

Mjeku: Kjo është e lidhur ngushtë me faktin nëse kemi të bëjmë me një strume të thjeshtë, pa çrregullim të funksionit të tiroides, apo ajo është pjesë e një patologjie tiroidiene si hipertireoza apo hipotireoza. Kjo vlerësohet me anë të analizave të gjakut, ku dozohen hormonet tiroidiene dhe stimuluesi i tyre hipofizar (që prodhohet në tru), si dhe dozohet jodi në gjak dhe në urinën e 24 orëve.

Nëse rezulton një strumë e thjeshtë nga niveli i ulet i jodit në organizëm, se pari duhet të sigurohen dozat ditore normale të jodit. Kjo realizohet duke shtuar konsumimin e produkteve ushqimore të pasura me jod, por edhe duke e marrë jodin nga goja në formën e tabletave. Përderisa struma është pasojë e funksionimit në mënyrë të sforcuar të tiroides për të prodhuar hormonin e saj, dhënia e këtij hormoni të gatshëm nga goja në formën e tabletave e përmirëson ndjeshëm strumën. Ky mjekim rekomandohet për disa vite, sepse është mjaft i rëndësishëm për parandalimin e zmadhimit të mëtejshëm të gjendrës tiroide.

Shumë shpesh paciente me shqetësime të palidhura me strumen (gjendje anksioze, neuroza, etj) insistojnë për t`u trajtuar në mënyrë kirurgjikale, pra për ta hequr tiroiden nëpërmjet operacionit. Trajtimi kirurgjikal në këto raste nuk ka sens, pasi operacioni jo vetëm qe nuk do t`ua largojë shqetësimet këtyre pacienteve, por edhe nuk do të evitojë rishfaqjen e strumës, për sa kohe që nuk është larguar shkaku i vërtetë i saj, që është mungesa e jodit.

Në rastin e strumave të mëdha, që përbëjnë problem estetik, apo që kanë shkaktuar shqetësime serioze nga shtypja lokale, rekomandohet heqja kirurgjikale e tyre dhe mjekimi për gjithë jetën me hormon të tiroides.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.