Shumë qytetarë që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë nga koronavirusi duket se janë braktisur jo vetëm nga punëdhënësi por edhe nga shteti. Drejtoria e Tatimeve tha se mbi 13 mijë biznese nuk kanë aplikuar për pagë lufte duke i lënë punonjësit pa trajtim financiar. Në këto kushte e vetmja zgjidhje që jep shteti është vendosja e gjobave për kompanitë që nuk kanë aplikuar.
Një numër i madh punonjësish të cilët kanë humbur punën për shkak të situatës së pandemisë, duket se janë braktisur pasi punëdhënësit e tyre nuk kanë aplikuar për pagën e luftës.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se 13 mijë e 571 biznese, përfitues të paketës së dytë ekonomike ende nuk kanë aplikuar për ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh.
Për këtë arsye Tatimet u kanë bërë thirrje këtyre subjekteve të plotësojnë kërkesën për përfitimin e ndihmës, pasi në të kundërt, rrezikojnë penalizim me gjobë.
“Duke qenë së aplikimi për punonjësit përfitues duhet të kryhet nga subjektet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu bën thirrje të gjithë subjekteve, të cilët ende nuk kanë aplikuar, që të plotësojnë Kërkesën për përfitim të ndihmës financiare.”
Pak ditë më parë edhe kryeministri Rama paralajmëroi se do të gjobiten të gjitha ata pronarë që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës për punonjësit e tyre.
Rama: Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish, u kanë kthyer kurrizin! Ne do të miratojmë një gjobë kuptimplotë për subjektet e biznesit të madh, që tradhëtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë as një aplikim 3 minuta në emër të kompanisë për ta. Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale.
Sipas qeverisë, nga paketa e dytë ekonomike pritet të përfitojnë rreth 176 mijë persona të cilëve u është akorduar një fond prej 70 milionë dollarë.