Presidenti Donald Trump tha të enjten se po tërheq Shtetet e Bashkuara nga Traktati ndërkombëtar 18-vjeçar i Qiejve të Hapur që lejon fluturime survejimi mbi vendet e tjera, për shkak se Rusia po e shkel atë.
Shtetet e Bashkuara filluan të njoftojnë vendet e tjera nënshkruese duke i lajmëruar kështu gjashtë muaj përpara datës së largimit nga marrëveshja. Presidenti vuri në dukje se kishte një mundësi, megjithatë, që një marrëveshje e re të mund të arrihej në një datë të ardhshme.
“Ekziston një shans shumë i mirë që ne do të bëjmë një marrëveshje të re ose do të bëjmë diçka për ta vendosur atë marrëveshje përsëri,” tha ai. “Por, sa herë që ka një marrëveshje me të cilën një palë tjetër nuk pajtohet – ju e dini, ne kemi shumë prej atyre marrëveshjeve në të gjithë botën; kur është një marrëveshje dypalëshe të cilës nuk i përmbahen ,… kur kemi gjëra të tilla pra, ne gjithashtu tërhiqemi. Kjo është arsyeja pse, me traktatet e armëve, nëse shikoni traktatet e armëve, me siguri do të bëjmë një marrëveshje me Rusinë për një traktat armësh. Dhe Kina do të jetë, mbase, e përfshirë në të. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Kështu që mendoj se ajo që do të ndodhë është se ne do të tërhiqemi, dhe ata do të vijnë sërish dhe do të duan të bëjnë një marrëveshje. Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë kohët e fundit me Rusinë. Dhe ju mund ta shihni këtë tek nafta dhe ajo që po ndodh me naftën”, tha ai.