MENU
klinika

Plani grek për rihapjen e turizmit

“Turistët mund të vijnë prej 1 korrikut”

05.05.2020 - 12:02

E prekur nga Covid-19 prej afro dy muajsh, por mesa duket nuk e ka pushuar së punuari as për planin e rihapjes së sezonit turistik ndryshe nga shumë vende të tjera që kanë deklaruar se nuk do të rrezikojnë duke pritur turistë.

Plani që Greqia po zhvillon përbëhet nga tre pika për të ndihmuar rihapjen e vendit në turizëm pasi turistët nuk kanë shkelur javët e fundit në Greqi si rezultat i bllokimeve në mbarë vendin nga situata e Covid-19.

Nga mediat e huaja mësohet se pjesa e parë e planit, e cila pritet të bëhet nga ekipe teknike nga Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit deri më 8 maj, përqëndrohet mbi protokollet e veçanta të sigurisë shëndetësore për hotele, porte, jahte, autobusë turistikë, avionë dhe zona të tjera ku mblidhen turistët.

Në pjesën e dytë të këtij plani, Greqia do të zhvillojë bisedime me qeveritë e tregjeve kryesore turistike mbi hapat që do të nevojiten për të rifilluar fluturimet hyrëse dhe dalëse, duke ju përmbajtur protokolleve shëndetësore.

“Nëse qeveritë gjermane, ruse ose amerikane i fusin në karantinë të gjithë ata që kthehen nga vendi ynë, atëherë nuk do të vijë asnjë turist. Ajo që kërkohet është diplomacia”, tha Mitsotakis.

Pika e tretë e planit përfshin një fushatë të re reklamimi publik që promovon Greqinë si një destinacion dhe kontakte me operatorët turistikë dhe mediat ndërkombëtare për të përmirësuar imazhin e vendit.

Teksa ka folur në një intervistë për CNN Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia do të ishte e gatshme të rihapej për turistët në 1 korrik nëse lehtësimi i masave të bllokimit të nisura këtë javë vazhdon pa probleme dhe zbatohen rregulla të rrepta shëndetësore.

“Eksperienca e turizmit këtë verë mund të jetë paksa e ndryshme nga ajo që keni pasur në vitet e kaluara, me më shumë distancim shoqëror, mbase nuk ka bare të hapura, por prapëseprapë mund të merrni një përvojë fantastike në Greqi me kusht që epidemia globale të jetë në rënie”, deklaroi Mitsotakis.