Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të shqyrtojnë sërish vendimin për ndërprerje të bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për shkak të menaxhimit të kësaj të fundit, të situatës me pandeminë e koronavirusit.
“Përballë këtij kërcënimi global, tani është koha për rritje të bashkëpunimit dhe zgjidhjeve të përbashkëta. Veprimet që dobësojnë rezultatet ndërkombëtare duhet të mënjanohen”, kanë thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Në këtë kontekst, në i bëjmë thirrje SHBA-së të rikonsiderojë vendimin e saj”, është thënë po ashtu në deklaratë, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka prezantuar vendimin në fjalë, duke akuzuar këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara për dështim të kryerjes së “reformave të domosdoshme” në kohën kur SHBA-ja ka shprehur shqetësime për menaxhimin e pandemisë me koronavirus.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë fondet për nevoja tjera globale të lidhura me shëndetin publik.
Trump ka fajësuar sërish Kinën për krizën globale shëndetësore duke thënë se “fshehja e virusit të Vuhanit ka mundësuar përhapjen e sëmundjes në gjithë botën”.
Shtetet e Bashkuara janë financueset më të mëdha të OBSH-së dhe largimi tyre pritet të dobësojë këtë Organizatë. Vetë OBSH-ja nuk e ka komentuar ende vendimin e Trumpit.