MENU
klinika

"Garancitë sovrane janë në plan të tretë"

Anketa e Këshillit të Investimeve/ 47% e ekonomisë e mbyllur në pandemi!

16.06.2020 - 11:10

Më shumë se gjysma e ekonomisë ka mbyllur aktivitetin gjatë muajve të karantinës. Anketa e realizuar nga Këshilli i Investimeve ka nxjerrë në pah se 47% e bizneseve kyçën dyert, ndërsa 53% e tyre vazhduan plotësisht ose pjesërisht.

Ashtu siç edhe pritej turizmi është sektori me humbjet më të mëdha. Rreth 75% e ndërmarrjeve që operojnë në këtë fushë u mbyllën. Ndërsa sektori që është prekur më pak ishte ai i bujqësisë ku 81% e ndërmarrjeve janë shprehur se kanë punuar plotësisht ose pjesërisht.

Edhe pse ende është herët për të bërë kalkulime se sa do të jenë paratë e munguara në buxhet, 80% e bizneseve shprehen se xhiroja e tyre vjetore do të reduktohet me 20%.

Gjatë periudhës mars-maj shumica e sipërmarrjeve ose rreth 67% e tyre kanë hequr punonjësit nga puna si një zgjidhje për të përballuar situatën e krijuar. Ndërsa 37% e ndërmarrjeve konfirmojnë se nuk kanë arritur të marrin asnjë masë në kohë për ta adresuar këtë sfidë, ndërkohë që 33% përdorën lejet e zakonshme dhe punë nga shtëpia.

Edhe pse ne kemi funksionale dy garanci sovrane në vlerën e 26 miliardë lekëve, bizneset e anketuara e konsiderojnë këtë si një mundësi të tretë, pasi fillimisht ato janë shprehur se do të përdorin të ardhurat e mëparshme, do të ulin kostot e punës kryesisht duke shkurtuar staf.

Por në një situatë të tillë shqetësues është fakti që pandemia e gjen biznesin pa asnjë plan emergjence, pasi 86% e kompanive deklarojnë se nuk kanë një të tillë. Kjo tregon se çdo krizë tjetër mund ta gjente biznesin të papërgatitur dhe mund ta godiste njësoj.