Vërtet mëkat! Të fitosh me shifra të tilla dhe sërish mos kryesosh. Apolonia e futbollit të femrave në këto 3 ndeshjet e para të zhvilluara pas hapjes se vendit nga pandemia, është vërtet për një rekord ”Guinness”.
Pasi kanë shënuar plot 30 gola në dy ndeshjet e para, pikërisht 13 ndaj Dajtit dhe 17 ndaj Maliqit, vajzat fierake nuk zhgënjejnë as në ndeshjen e sotme në Shkodër ndaj AAS-se vendase. Ato kanë arritur të përmbushin pritshmëritë duke fituar 15-0.
4 gola janë shënuar nga sulmuesja Kesjana Goro (14 vetëm në 3 ndeshjet e fundit), nga dy gola secila kanë shënuar dy futbollistet afrikanojugore Nhalpho dhe Mgcoyi, po dy gola ka shënuar edhe Simoni, ndërsa nga 1 gol shënuan Iliadhi, Levendi, Troka, Amonikaj dhe Mile.
Pas 12 javesh, ekipi i Apolonisë renditet në vendin e dytë me 31 pikë, 10 fitore, 1 humbje dhe 1 barazim, me një golaverazh +111 gola, 117 të shënuar dhe vetëm 6 të pësuar. Por për fatin e keq, Vllaznia ka bërë akoma më mirë, 11 fitore, zero humbje, zero barazime, 96 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.