MENU
klinika

Kredi për teatrin e ri?

Banka Europiane e Investimeve: S’kemi marrë asnjë kërkesë!

16.06.2020 - 12:16

Banka Europiane e Investimeve ka mohuar çdo lloj kontakti apo dijenie të mundshme në lidhje me projektin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar aty ku u shemb godina historike.

Pas letrës së Bashkisë Tiranë për qeverinë, ku i kërkohej përdorimi i garancisë sovrane për një kredi pranë BEI-së, pasi kjo e fundit, sipas letrës, kishte shprehur gatishmërinë për ta financuar projektin dhe për më tepër me kushte të favorshme, gazeta “Panorama” u interesua pranë zyrës së shtypit të Bankës Europiane të Investimeve.

Në një komunikim përmes postës elektronike BEI-ja theksoi se nuk ka asnjë dijeni mbi këtë projekt dhe as për proceset gjyqësore që janë hapur për këtë çështje. Në reagimin e BEI-së thuhet, mes të tjerash, rëndësisë që ata i kushtojnë transparencës në paraqitjen e projekteve, por mbështetja e trashëgimisë kulturore, si një themelet mbi të cilat është ngritur dhe Bashkimi Europian.

INTERVISTA E PLOTË

Banka Europiane e Investimeve është përmendur dje në një dokument të Bashkisë së Tiranës, si “e gatshme për të financuar projektin e Teatrit të ri” në Tiranë. Duke ruajtur kofidencialitetin e nevojshëm bankar në të tilla raste, ju si institucion kur keni rënë dakord në parim për këtë financim për Bashkinë Tiranë? A ka pasur diskutime me Bashkinë për këtë projekt dhe a jeni ju në dijeni që Bashkia është bërë pronare e tokës së Teatrit vetëm me datë 8 maj 2020?

Si bankë e BE-së dhe si një organ i BE-së, Banka Europiane e Investimeve ka një përgjegjësi të veçantë: të jetë e hapur dhe transparente ndaj palëve të interesuara të saj. Banka Europiane e Investimeve nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare për të financuar Teatrin e ri dhe as nuk ka filluar vlerësimin e projektit. Në përputhje me procedurat tona, ku financimi i ardhshëm mund të paraqitet në Bankën Europiane të Investimeve nga nismëtari, përpara dakordësimit për ndonjë financim, projekti duhet të vlerësohet nga shërbimet e BEI-së në lidhje me aspektet teknike, ekonomike, mjedisore, sociale, ligjore dhe të integritetit të këtij projekti në përputhje me rregullat dhe procedurat standarde të zbatueshme: https://www.eib.org/en/projects/cycle/index.htm Vendimi për investimet tona bazohet në vlerësime të pavarura të projekteve, të cilat kryhen nga ekspertët e Bankës në fusha të ndryshme.

Ekipet e inxhinierëve tanë dhe analistëve ekonomikë e financiarë shqyrtojnë me kujdes të gjitha aspektet ekonomike, mjedisore, sociale dhe ligjore të projektit, si dhe pajtueshmërinë e tij me standardet dhe praktikat e BE-së. Politikat tona nënkuptojnë që të gjitha projektet, ku ne investojmë, përmbushin një sërë kriteresh të paracaktuara ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Nismëtari i projektit duhet të sigurojë informacion të mjaftueshëm për t’i mundësuar BEI-së që të vlerësojë nëse projekti i përmbahet objektivave të huadhënies së BEI-së dhe nëse ka një plan të mirëzhvilluar biznesi. Një standard tjetër që ne marrim në konsideratë është ndikimi afatgjatë i investimeve tona në ekonomi dhe në shoqëri në përgjithësi, në përputhje me objektivat tona për Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto objektiva përfshijnë rritjen e lidhshmërisë rajonale dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror, duke krijuar mundësi të reja punësimi, ekonomi më të qëndrueshme dhe infrastrukturë të përmirësuar jetësore.

Në politikat e financimit të Bankës suaj theksohet se keni “zero tolerancë në korrupsion”. A jeni ju në dijeni që ka hetime nga dy prokurori në Tiranë për vendimet e shembjes së teatrit të vjetër Kombëtar, (pa të cilin nuk do qe e mundur ndërtimi i Teatrit të ri), për të cilin ju, sipas shkresës së Bashkisë, jeni të gatshëm të financoni paratë? Krahas kësaj, ka edhe një padi në Gjykatën Kushtetuese për vendimet e kalimit të pronësisë së tokës nga qeveria te Bashkia Tiranë.


BEI-ja respekton politikat e rrepta mjedisore dhe të prokurimit. Nismëtarët e mundshëm duhet të sigurojnë që projekti i tyre t’u përmbahet këtyre kushteve. Siç e kemi përmendur, politikat tona janë shumë rigoroze dhe kanë për qëllim të sigurojnë kryerjen e procedurave në dobi të shoqërisë. Prandaj, ne kemi krijuar mekanizma mbështetës për të gjitha aktivitetet mashtruese, për të përjashtuar subjektet dhe individët që konstatohen se kanë marrë pjesë në veprime të ndaluara.

Banka Europiane e Investimeve krijon vlerë të shtuar për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e projekteve tona. Përfshirja e BEI-së në një projekt të caktuar është si një lloj vule cilësie për investitorët e tjerë privatë dhe publikë dhe këto standarde janë absolutisht thelbësore për ne.

Projektet e financuara nga BEI-ja në Shqipëri janë një dëshmi e standardeve tona të larta dhe e cilësisë që ne ofrojmë. Që prej vitit 2000 BEI-ja ka investuar 474 milionë euro në Shqipëri, kryesisht në infrastrukturën e transportit, duke kontribuar në rritjen e sigurisë rrugore dhe efikasitetin e udhëtimit. Me investimin në rehabilitimin e shtratit të lumit Lana do të përmirësohen kushtet e jetesës për afërsisht 65.000 qytetarë të Tiranës. Për rimëkëmbjen pas tërmeteve shkatërruese që goditën Shqipërinë në fund të vitit 2019, ne premtuam mbështetje financiare me një kredi të mundshme nga ana e BEI-së deri në shumën 100 milionë euro.

Aktualisht, ne po investojmë në zhvillimin e infrastrukturës rajonale të brezit të gjerë, e cila do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në transformimin dixhital. Që prej janarit 2019 BEI-ja ka ngritur një përfaqësi në Shqipëri, pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, me Alessandro Bragonzi-n si përfaqësuesin e BEI-së në terren. Kjo tregon qartë angazhimin tonë për këtë rajon dhe gatishmërinë për të siguruar një mbështetje edhe më të madhe në përgatitjen, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve në Shqipëri, sipas praktikave më të mira të BE-së.

Komisioni Europian dhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Kulturën janë deklaruar kundër prishjes së godinës së teatrit: a e ndryshon kjo pozicionin tuaj?

Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë trashëgiminë kulturore të njerëzve në këtë rajon dhe në mbarë Europën dhe e kuptojmë se trashëgimia kulturore qëndron në thelb të projektit europian dhe të operacioneve të BEI-së në mbarë globin. Kjo është arsyeja e ngritjes së Institutit të BEI-së në Bankën tonë. Nëpërmjet këtij institucioni ne realizojmë aktivitete që kanë për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Europës dhe mbështetjen e artistëve të rinj në zhvillimin e tyre profesional. Në janar 2019 BEI-ja nënshkroi Thirrjen e Berlinit për veprim “Trashëgimia kulturore për të ardhmen e Europës”, për të promovuar fuqinë pozitive dhe kohezive të trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerat që lidhin njerëzit dhe komunitetet e Europës.

Letra me të cilën Bashkia kërkoi garanci për kredinë

Dy javës pas vendimit për shembjen e godinës historike të Tetarit Kombëtar, Bashkia e Tiranës kërkoi nga qeveria të dalë garant për të paktën 30 milionë euro kredi, në mënyrë që ajo të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar. Në dokumentin e zbuluar kreu i bashkisë, Erjon Veliaj, i kërkonte Kryeministrit të pranonte të vendoste buxhetin e shtetit si garanci për kredinë që do merrte nga Banka Europiane e Investimeve.

Letra, e firmosur nga Erjon Veliaj, iu dërgua Kryeministrit Rama, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Rindërtimit. Në letër Bashkia Tiranë zotohej se kishte marrë një gatishmëri nga ana e Bankës Europiane të Investimeve për të financuar projektin e Teatrit të ri Kombëtar, madje me kushte të favoshme. “Në zbatim të planit të përgjithshëm vendor, politikave të zhvillimit të qëndrueshëm, të shpalljes së Tiranës 100 vjet kryeqytet, si dhe në zbatim të VKM-së nr. 377, datë 8.05.2020, për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë, me emërim ‘Teatri Kombëtar’, Bashkia Tiranë kërkon të ndërtojë Teatrin e ri mbi parcelën në pronësi të saj nr. 1/241.

Referuar komunikimeve me Institucione Financiare Ndërkombëtare (IFI), Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka shprehur gatishmërinë e saj për të financuar projektin e Teatrit të ri, me kushte financiare shumë të favorshme. Nga projekti paraprak, kostoja e përgjithshme për ndërtimin e projektit parashikohet të jetë rreth 30 mln euro. Në vijim të procedurave të aplikimit pranë Bankës Europiane të Investimeve, lutemi të merrni në konsideratë kërkesën tonë për financim”, shkruhej në letrën e Bashkisë Tiranë drejtuar qeverisë./Panorama