Bayern Munchen e ka mbyllur me bollëk golash si kampion Bundesligën. Tetë herë radhazi kampion dhe 30 tituj në total, Bayern e ka kurorëzuar javën e fundit me disa rekorde pas fitore 4-0 në transfertë ndaj Wolfsburg.
Shënoi 100 gola në Bundesligë, me një mesatare 3 gola për ndeshje, si asnjëherë tjetër. Trajneri Flick kaloi Heynckes për pikët dhe golaverazhin që kur mori drejtimin e skuadrës. Lewandowski shkoi në 34 gola, duke barazuar Dieter Muller. Polaku mund të fitojë edhe “Këpucën e Artë” të Europës, Immobile i Lazios është 7 gola larg.
Thomas Muller barazon rekordin e asisteve, plot 22, aq sa Kevin De Bryune të vendosur në seoznin 2014-2015. Një Bayern që e mbyll me 82 pikë, 13 para Dortmund të vendit të dytë.
Sa u takon verdikteve, Leipzig siguron vendin e tretë me fitoren në Augsburg, Monchegladbach zë vendin e katërt pas fitores 2-1 ndaj Hertha Berlin, ndërsa Leverkusen mbetet jashtë Champions, edhe pse fitoi 1-0 ndaj Mainz.
Surpriza më e madhe ishte rënia e Dusseldorf, kur i mjaftonte vetëm një pikë për të qenë në pozicionin play-out. Dusseldorf humbi 3-0 në fushën e Union Berlin, që nuk luante për asgjë. Nga kjo përfiton Werder Bremen, që fiton 6-1 ndaj Koln dhe tani do të luajë në play-out me skuadrën e vendit të tretë të Bundesligës 2.