Banka Botërore ka publikuar perspektivën e ekonomisë globale të përditësuar, ku reflektohen projeksionet e institucionit në lidhje me ekonominë globale, tashmë në kuadër të krizës së rëndë që ka “mbërthyer” të gjithë globin. Për Shqipërinë, banka flet për një rënie ekonomike me 5% këtë vit. Paçka se shifrat flasin për një recesion të ndjeshëm, projeksioni është i njëjtë me atë të Prillit, ku fliste po për një rënie në 5%.
Duket se banka nuk i ka përkeqësuar projeksionet për ekonominë shqiptare, paçka se efektet e Covid-19 në ekonominë tonë gjatë këtyre dy muajve janë bërë edhe më të prekshme. Projeksioni për një rënie ekonomike në vetëm 5% këtë vit është ndjeshëm më optimist se ai i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që flet për një rënie në 9%. Por, Banka Botërore flet për një rritje të ekonomisë në masën 8.8% vitin e ardhshëm, nga 6.6% që vlerësonte në raportin paraardhës.
Kjo rritje gjatë 2021-it sinjalizon një rimëkëmbje të ndjeshëm të ekonomisë dhe kthim në situatën përpara pandemisë, në harkun e një viti. Krahasuar me rajonin, Shqipëria projektohet të ketë rënien më të madhe ekonomike këtë vit, pas Malit të Zi, si pasojë e peshës së madhe të turizmit. Sa i përket ekonomisë globale, Banka Botërore parashikon një tkurrje në 5.2% këtë vit, ç`ka përkthehet në recesionin më të thellë që prej luftës së dytë botërore.