MENU
klinika

Energjia “bie nga froni”

Industria nxjerrëse kryeson investimet e huaja direkte

25.06.2020 - 13:20

Energjetika nuk është më sektori që udhëheq investimet e huaja direkte në Shqipëri. Për tremujorin e parë të këtij viti, investimet në energjetikë ishin 70 milionë euro, pothuajse sa gjysma e vlerës së regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektori me flukset më të mëdha të investimeve për tremujorin e parë ishte industria nxjerrëse, me 76 milionë euro, në rritje me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Sektori i energjisë dominonte investimet e huaja që nga fillimi i vitit 2016, falë projektit të madh në gazsjellësit Trans-Adriatik, por edhe shumë veprave të rëndësishme për prodhimin e energjisë hidrike. Shumica e këtyre investimeve tashmë kanë përfunduar.

Pas HEC-it të Banjës, Devoll Hydropower përuroi në qershor edhe atë të Moglicës, impianti më i madh hidreoenergjetik i ndërtuar në Shqipëri pas viteve 90. Në valën e ndërtimit të HEC-eve janë përfshirë edhe investitorë të tjerë të huaj, kryesisht italianë, turq apo francezë.

Ndonëse projekte më të vogla, në tërësinë e tyre ato kanë sjellë qindra milionë euro investime të huaja gjatë viteve të fundit. Përfundimi i ciklit të investimeve të mëdha në energjetikë pritet të ulë ndjeshëm vlerën e investimeve të huaja duke filluar nga ky vit. Tashmë, sektori që sjell në vijimësi vlera të larta të investimeve të huaja ngelet industria nxjerrëse dhe kryesisht prodhimi i naftës bruto.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë 2020 investimet e huaja direkte kishin vlerën e 227 milionë eurove. Industria nxjerrëse dhe energjia sollën rreth 65% të investimeve totale. Për pjesën tjetër, investimet e huaja shpërndahen kryesisht në degët e shërbimeve, sidomos në sektorin financiar dhe atë të informacionit e komunikimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Prodhimi Kombëtar u rrit me 4.48%

Energjia e turizmi ‘drogojnë’ ekonominë

4.32% në tremujorin II

Energjia mban lart rritjen ekonomike