MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Vuaj nga koliti… Çfarë mund të konsumoj e çfarë jo?

02.06.2020 - 18:04

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Jam me kolit. Çfarë mund të ha e çfarë jo?

Mjeku: Edhe pse koliti ulceroz nuk shkaktohet nga ushqimet që hamë, disa ushqime të caktuara mund të përkeqësojnë simptomat. Dieta dhe përzgjedhja e ushqimeve që duhet t’i servirim çdo ditë organizmit tonë, luan një rol vendimtar në përmirësimin e simptomave të kolitit, si dhe problemeve të tjera që dëmtojnë zorrën.

Nuk ka provë konkrete që tregon se ushqimet që konsumoni shkaktojnë inflamacion në zorrën e trashë. Por ushqime dhe pije të caktuara i përkeqësojnë më shumë simptomat.

Nëse mbani një dietë dhe e dini se çfarë keni konsumuar, po ashtu edhe si jeni ndjerë, atëherë do të zbuloni cilat ushqimet ju shkaktojnë probleme në zorrën e trashë. Në këtë mënyrë arrini t’i eliminoni. Disa nga sugjerimet që mund t’ju vijnë në ndihmë.

Ushqimet që duhet të shmangni

Shmangni produktet e bulmetit – Shumë njerëz që kanë probleme me zorrën e trashë zbuluan se diarreja, gazrat dhe dhimbjet e stomakut eliminohen nëse shmangni produkte bulmetore. Mund të jeni intolerant ndaj laktozës, pra trupi nuk tret sheqerin e qumështit.

Konsumoni ushqime me përmbajtje të ulët yndyre – Nëse vuani nga zorra e trashë, nuk jeni në gjendje të tretni yndyrën siç duhet. Në fakt, yndyra kalon nga zorra dhe e përkeqëson më shumë diarrenë. Përpiquni të shmangni gjalpin, margarinën dhe ushqimet e skuqura.

Kufizoni ushqimet me fibra – Nëse vuani nga inflamacioni në zorrën e trashë, disa ushqime me nivel të lartë fibre, i përkeqësojnë simptomat. Më shumë do të keni probleme me perime të tilla, si brokoli, lulelakra, misri.

Shmangni këto ushqime:

  • Ushqimet djegëse,
  • Alkooli dhe kafeina mund të përkeqësojnë edhe më shumë simptomat.
  • Masa të tjera dietike që duhet të ndërmerrni hani pak dhe shpesh. Do të ndiheni më mirë nëse hani nga pak ushqime në pesë ose gjashtë vakte, sesa dy ose tre vakte të bollshme.

Pini sa më shumë lëngje. Është mirë të pini sa më shumë ujë dhe të shmangni konsumimin e alkoolit dhe pijeve që përmbajnë kafeinë, duke qenë se stimulojnë zorrët dhe mund ta përkeqësojnë edhe më shumë diarrenë, ndërsa pijet e gazuara zakonisht prodhojnë gazra.

Konsumoni ushqime të pasura me vitamina të ndryshme: Duke qenë se sëmundja e kronike e inflamacionit në zorrën e trashë mund të ndikojë tek tretja e lëndëve ushqyese dhe dieta juaj është e kufizuar, multivitaminat dhe mineralet janë shumë të rëndësishme. Vetëm duhet të mos harroni që të konsultoheni me mjekun para se të merrni këto vitamina dhe minerale.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.