MENU
klinika

Kundër Covid-19

Katër vende europiane, kontratë për furnizimin me 400 mln doza vaksine

14.06.2020 - 09:39

Gjermania, Franca, Italia dhe Hollanda kanë nënshkruar së fundmi një kontratë për 400 milionë doza vaksine kundër CoVid-19 me kompaninë britanike “AstraZeneca Plc”.

Marrëveshja parashikon furnizimin e këtyre vendeve në rast se vaksina e Oksfordit do të rezultojë e suksesshme, çka provon se asnjë vend nuk po mendon se përballja me epideminë ka përfunduar.

Kompania shprehet se do të shpërndajë vaksinat pa fitim gjatë epidemisë dhe se nëse çdo gjë shkon mirë, shpërndarja do të nisë në fund të këtij viti. Drejtori ekzekutiv i saj, Pascal Soriot ka deklaruar para gazetarëve se bazuar në të dhënat fillestare ka shpresa se vaksina do të funksionojë.

Ndërkohë që të katër vendet firmëtare janë përfaqësuar si një lloj aleance për vaksinën dhe premtojnë se do të bashkëpunojnë me Komisionin Europian dh vendet e tjera në Europë për të siguruar që çdokush të furnizohet me vaksinë.

Këto vende do të paguajnë të gjithë prodhimin në fjalë dhe skema e rënë dakord mes tyre u jep mundësi edhe vendeve të tjera që bëhen pjesë e saj. Dhe si shenjë domethënëse për këtë shërben fakti se Kina, Brazili, Japonia dhe Rusia kanë shprehur interes. Agjencia Rregullatore Britanike për Prodhimet Mjekësore ka miratuar së fundmi nisjen e fazës së tretë për testimin e vaksinës pas suksesit të dy fazave të para.