Mbi 47% e bizneseve ulën qepenat gjatë periudhës së emergjencës, të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, 42% vazhduan punën pjesërisht dhe vetëm 11% nuk e ndërprenë aktivitetin e tyre, pavarësisht situatës. Të dhënat janë publikuar në anketën “Covid-19 mbi bizneset”, e përgatitur nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve.
Sipas sektorëve, akomodimi, aktivitetet e zinxhirit ushqimor dhe agjencitë e udhëtimit/ operatorët turistikë, të lidhur me turizmin janë më të prekur nga situata COVID-19. Konkretisht, 94% e aktivitetit të turizmit e ndaloi punën plotësisht ose pjesërisht. Në të kundërt, sektori i bujqësisë deklaron se është më pak i prekur nga situata e jashtëzakonshme, më specifikisht 24% të kompanive të cilat nuk e ndaluan aktivitetin dhe 57% të cilat pjesërisht e vazhduan aktivitetin.
Pavarësisht nga madhësia ose sektori, shumica e kompanive vlerësojnë se ndikimi i COVID-19 do të zgjasë deri në 1 vit. Ndërkohë, për të siguruar vazhdimësinë e biznesit, kompanitë deklarojnë se kryesisht do të përdorin të ardhura të mëparshme të akumuluara (34%), si edhe do të ulin kostot (32%) fokus shkurtimi i vendeve të punës, ose ulja e prodhimit. Marrja e kredisë në bankë konsiderohet si opsioni i tretë.
Më specifikisht nga pikëpamja sektoriale, bujqësia, ndërtimi dhe tregtia konsiderojnë mbështetjen me hua bankare. Ndërsa, industria dhe turizmi fokus do të kenë uljen e kostove, ndërsa shërbimet kryesisht do të përdorin të ardhurat e tyre të akumuluara. Pyetësorit iu përgjigjën 833 kompani të shpërndara në të 12 qarqet e Shqipërisë.