Covid-19 “nga këndvështrimi klinik nuk ekziston më”. Kjo deklaratë e fortë vjen nga shefi i spitalit San Raffaele në Milano, Alberto Zangrillo, drejtori i repartit intensiv në këtë spital.
Sipas mediave italiane, Zangrillo është i bindur për këtë, duke shpjeguar se virusi qarkullon por nuk lë pasoja, pra klinikisht nuk ekziton më.
Duke folur në një emision në “Rai3”, për situatën në rajonin e Lombardisë, Zangrillo tha:
“Mua me të vërtetë më vjen për të qeshur. Sot është 31 maj dhe rreth një muaj më parë kemi dëgjuar epidemiologë që thonin se kanë shumë frikë nga një valë e re për fundin e muajit / fillimit të qershorit dhe kush e di se sa vende në kujdesin intensiv do të ishin zënë. Në realitet, virusi praktikisht nuk ekziston më nga pikëpamja klinike”.
“Kjo – shtoi ai – vërtetohet nga një studim i bërë nga virologu dhe drejtori i Institutit të Virologjisë.
“Tamponët e kryer në 10 ditët e fundit kanë një ngarkesë virale nga pikëpamja sasiore absolutisht shumë të ulët në krahasim me ato të kryera tek pacientët para një muaji, apo dy muaj më parë. Virusi nga këndvështrimi klinik nuk ekziston më“, tha ai.
Këto deklarata kanë ndezur menjëherë polemika mes ekspertëve, sidomos nga shkencëtarët që janë pjesë e komitetit shkencor teknik.
“Kjo që po thoni është një fjali shumë e fortë, Profesor”, i tha drejtuesi i emisionit.
Dhe ai këmbënguli: “Për këtë unë vë firmën”.
Mjeku Pulmonolog Luca Richeldi, anëtar i Komitetit Teknik Shkencor, i përgjigjet Zangrillo duke theksuar se: “Virusi ende qarkullon dhe është e gabuar të jepen mesazhe të gënjeshtra që nuk vënë theksin tek kujdesi. Padyshim që është e vërtetë dhe që presioni në spitale është ulur në mënyrë drastike, sidoqoftë, nuk duhet të harrohet – vëren ai – se kjo është rezultat i masave po aq drastike të marra nga qeveria“.