MENU
klinika

Flet eksperti për Ballkanin

“Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja”

27.06.2020 - 12:46

Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në periudhën e viteve 1998-99, dhe shefi negociator i BE-së në bisedimet paqësore të Kosovës në Rambuje dhe Paris, ka thënë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se iniciativa amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mund të konsiderohet e vdekur, pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.

Eksperti për Ballkanin beson se në Kosovë duhet mbajtur zgjedhje të reja, dhe deri atëherë, Prishtinës zyrtare do t’i mungojë një përfaqësues i fuqishëm në procesin dialogues. Për dallim prej iniciativës amerikane, Petritsch beson se Bashkimi Evropian ka para vetes një mundësi të papritur për t’u kthyer në rolin udhëheqës të bisedimeve.

Radio Evropa e Lirë: Bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, të caktuara për 27 qershor në Uashington janë anuluar sepse fillimisht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe më vonë edhe kryeministri, Avdullah Hoti kanë anuluar pjesëmarrjen në takim pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë kundër Thaçit dhe ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli për krime që supozohet se janë kryer gjatë ose pas luftës në Kosovë.

Aktakuza u është dorëzuar Dhomave të Specializuara në Hagë më 24 prill. Prokurori ka vendosur ta publikojë atë dy muaj më vonë. Si e komentoni ju gjithë këtë?

Wolfgang Petritsch: Për mua në fakt ka qenë befasi koha. Unë kam qenë jashtëzakonisht skeptik, nëse jo edhe negativ, për iniciativën e (të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard) Grenell sepse pa evropianët kjo gjë nuk funksion. Mënyra sesi është kryer kjo diplomaci amerikane nuk çon gjërat përpara. Në kohën kur nuk ekziston konflikt ushtarak në rajon, duhet ta shfrytëzoni kohën dhe të merrni gjëra nga të dyja palët.

Ana e vetme pozitive e kësaj qasjeje është se presidentët e të dyja vendeve, Prishtinës dhe Beogradit, kanë treguar gatishmëri për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë paqësore, përmes rrugëve politike dhe atyre diplomatike. Kjo mënyrë e gjetjes së një kompromisi në tavolinën negociuese është diçka e çuditshme për rajonin dhe kjo në njëfarë mënyre përbën përparim, që veçse është arritur nga Bashkimi Evropian në të kaluarën në procesin dialogues.

Por të kthehemi tek iniciativa amerikane. Pa palën evropiane nuk do të funksionojë sepse fundja janë ata që do të duhet të paguajnë, të investojnë imazh politik, por mbi të gjitha edhe të holla, dhe u takon atyre që Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, nëse gjërat shkojnë në rrugën e duhur. Dihet qartë se duhen amerikanët, sepse në të kaluarën secilën herë që amerikanët dhe evropianët janë pajtuar për diçka, ajo ka funksionuar. Prandaj kam qenë skeptik se kjo qasje mund të funksionojë dhe për faktin se evropianët u përjashtuan. Por tani situata ka ndryshuar.

Radio Evropa e Lirë: Por, a ekzistojnë motive politike pas publikimit të aktakuzës tri ditë para nisjes së negociatave? Zakonisht njoftime të tillë bëhen pas aktakuza të konfirmohen, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani.

Wolfgang Petritsch: Unë vetëm mund të hamendësoj sikur edhe shumë të tjerë pse kjo gjë ndodhi tani. Siç e thashë, koha është e shumë e pazakontë. Unë vetëm mund të supozoj nëse ekziston ndonjë konflikt i brendshëm amerikan në mes të Prokurorit, që është emëruar nga administrata (e presidentit amerikan, Donald) Trump, dhe shqetësimeve se Grenell mund të arrijë marrëveshje, që lidhet me Gjykatën Speciale. Kjo mund të jetë njëra mundësi. Në anën tjetër ka supozime, që për mua janë të dyshimta, se kjo mund të jetë iniciativë evropiane për të penguar dialogun e Uashingtonit.

Pra, sinqerisht nuk e di, mund të hamendësoj, çfarë ka pak vlerë, sepse ajo është publikuar tani. Kjo gjë tani përbën ndryshim në politikën kosovare. Tani është e qartë se evropianët kanë përpara një mundësi të papritur për t’u kthyer sërish në rolin udhëheqës në këtë çështje. Unë do të paralajmëroj Brukselin që të mos niset pa amerikanët. Ndoshta tani do të jetë jashtëzakonshme e vështirë për të bashkëpunuar me Grenellin dhe Trumpin, mirëpo në periudhë afatgjatë, sidomos pas nëntorit, evropianët duhet të përfshijnë sërish amerikanët në këtë proces.

“Herët apo vonë, do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë”
Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se ekziston mundësia që evropianët kanë synuar ta pengojnë takimin në Uashington. Ka pasur zëra se kjo mund të jetë hakmarrje e Gjermanisë për shkak të supozimeve rreth rolit të Shteteve të Bashkuara në rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit. Si mund të kenë ndikuar evropianët, apo gjermanët në veçanti që Prokurori i Specializuar të marrë këtë vendim?

Wolfgang Petritsch: Këto janë vetëm spekulime dhe nuk ekzistojnë fakte, andaj nuk dëshiroj që të thellohem në spekulime të tilla. Tani është më e rëndësishme që të fokusohemi në situatën e re të krijuar, të shohim se çfarë mund të bëhet, pasi besoj se (i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav) Laçjak tani ka një mundësi fantastike që të paraqesë rregullat evropiane përgjatë ndërmjetësimit, dhe që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, të arrijnë pajtueshmëri. Në Beograd shohim se (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq është më i fuqishëm për këtë qasje të re, por nuk kemi një partner tani në Prishtinë, sepse qeveria e (kryeministrit, Avdullah) Hoti është shumë e dobët. Ajo është sponsoruar nga Thaçi, andaj i bie që është e më e dobët tani, andaj herët apo vonë do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti është takuar të enjten me zyrtarët evropianë, duke insistuar se dialogu nuk ka alternativë. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se dialogu mund të rifillojë në muajin korrik. Cili do të mund të ishte formati i dialogut dhe kush do ta përfaqësonte Kosovën në dialog? A do të ndihet mungesa e Thaçit në këtë proces?

Wolfgang Petritsch: Pozicioni i Kosovës do të dobësohet masivisht. Ka ekzistuar një lloj i besimit në mes të presidentëve Vuçiq dhe Thaçi dhe tani edhe Beogradi duhet të rishqyrtojë se kush do të jetë negociatori kryesor në anën e tij. Vuçiq dihet se ka më së shumti fuqi dhe ndikim, por sa i përket Prishtinës nuk e di. Para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, frikësohem se nuk do të ketë ndonjë partner të besueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni negociatat mes Hotit, kryeministër, dhe Vuçiqit si president, apo duhet të përfshihet kryeministrja serbe në vend të Vuçiqit, për aq kohë sa Kosova nuk do të ketë president të ri apo ekip të ri negociues?

Wolfgang Petritsch: Për këtë gjë duhet të vendosë Vuçiq. Marrë parasysh të kaluarën dhe protokollet, natyrisht se një president duhet ta ketë përballë një president dhe jo një kryeministër mirëpo sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje pragmatike, Lajçak duhet të bisedojë me të dyja palët se çfarë mendime ekzistojnë në Beograd, sidomos në Beograd, por dhe në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë: A do të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara? Grenell e ka mohuar se ka konflikt mes SHBA-së dhe BE-së në këtë proces. Ai ka thënë se negociatat me amerikanët do të fokusohen në çështje ekonomike derisa BE-ja vazhdon formatin politik? A mund të ndihmojnë çështjet ekonomike në arritjen e kompromiseve politike, apo ato janë zëvendësim i kompromiseve politike?

Wolfang Petritsch: Dyshoj shumë se një qasje e tillë mund të funksionojë, përveç nëse ka pajtueshmëri politike se kush do të investojë, si do të realizohen këto investime të huaja në rajon, të cilat janë të domosdoshme. Arsyeja kyçe e këtyre zhvillimeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës është zgjidhja e çështjeve politike, pra statusi i Kosovës, normalizimi, që është gjëja kryesore e dialogut. Kjo gjë duhet të arrihet në negociatat politike. Natyrisht se paralelisht ju mund të diskutoni për çështje ekonomike, mirëpo ato nuk kanë vlerë nëse nuk ka marrëveshje politike në fund. Pra është një strategji që nuk mund të funksionojë.

Frikësohem shumë se tani do të ekzistojë një plan për paqe për Ballkanin, sikurse ai i Lindjes së Mesme. Unë jam i mendimit që në këtë proces duhet të përfshihen të gjithë. Në çështjen e Kosovës duhet krijuar një marrëdhënie pragmatike me Moskën dhe Pekinin, sepse të dyja janë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj amerikanët dhe evropianët mund të negociojnë ose të gjejnë një zgjidhje, por nëse nuk arrihet edhe pajtimi i Moskës në veçanti, Kosova nuk do të jetë kurrë pjesë e OKB-së.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se dialogu i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë pavarësisht kësaj situate? Shumë persona shohim nguti në qasjen amerikane edhe për shkak të zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, në mënyrë që presidenti Trump të përmendë fitore ndërkombëtare.

Wolfgang Petritsch: Nuk e di, edhe mund të vazhdojë, por suksesi i tij është zvogëluar në mënyrë drastike dhe nëse flasim hapur, unë besoj se iniciativa amerikane është e vdekur.

Radio Evropa e Lirë: Kjo në aspektin e rezultateve të mundshme, por në aspektin e përpjekjeve, me siguri do të ketë tentime për ringjallje të tij.

Wolfgang Petritsch: Jam i sigurt se amerikanët tani janë duke e analizuar situatën, mirëpo nuk shoh mënyrë për të ringjallur iniciativën amerikane.

Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se Shtetet e Bashkuara nuk do të gjejnë në Kosovë negociator sikurse Thaçi, sepse vetëm ai ka qenë i gatshëm, sikurse Vuçiq në Serbi, që Grenell të ndërmjetësojë dialogun. Thaçi ka qenë i gatshëm për kompromise, Vuçiq ka synuar të arrijë diçka, një lloj koncesioni sa i përket këmbimit të territoreve, sepse nën ndërmjetësimin e BE-së nuk ka qenë e përfshirë kjo temë.

Wolfgang Petritsch: Thaçi ka qenë i gatshëm dhe fleksibil, por jo edhe Hoti, sepse ky i fundit nuk ka fuqi që të negociojë çështje të tilla të vështira. Momentalisht iniciativa amerikane është e destinuar për të vdekur. Gjëja më e rëndësishme është që të motivohen të dyja palët, duke krijuar një situatë kur të dyja anët fitojnë. Ajo mund të arrihet në aspektin politik, ekonomik, apo përmes diskutimit për territore. Mirëpo për këtë të fundit janë ngritur pikëpyetje nga gjermanët, francezët dhe shumë të tjerë, përfshirë edhe në brenda vetë këtyre dy vendeve. Nuk e di cili mund të jetë rezultat final, por po them që ndërmjetësimi duhet të ndodhë në atë mënyrë që rezultati të jetë I hapur. Kjo është e rëndësishme, sepse është në dorën e Beogradit dhe Prishtinës si duhet të duket zgjidhja, sepse ata duhet ta zbatojnë dhe mbrojnë atë kundër kritikëve.

Nga përvoja ime me Marrëveshjen e Dejtonit në Bosnje, forca e jashtme që imponon zgjidhje, nuk funksionon. E shohim se 25 vjet pas Dejtonit, problemet e njëjta vazhdojnë të ekzistojnë. Pse? Sepse ka pasur zgjidhje të imponuara. Ka qenë shumë i rëndësishëm përfundimi i luftës, mirëpo Dejtoni nuk është projekt për të ardhmen demokratike të Bosnjës. Kjo gjë duhet të anashkalohet në të gjitha rrethanat kur është në pyetje cështja e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Grenell ka thënë se çështja e këmbimit të territoreve nuk është pjesë e diskutimeve në Uashington. A besoni se ajo ide është ende pjesë e agjendës?

Wolfgang Petritsch: Çështja e territoreve ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme në konfliktet e ish-Jugosllavisë. Kemi një situatë kur disa kufij janë ndryshuar. Fillimisht kur janë krijuar shtetet pasardhëse e më pas ka pasur korrigjime tjera të vogla. Në Malin e Zi dhe më pas në Kosovë, që ka qenë një konflikt i madh, në mes të Serbisë dhe Kroacisë, në mes të Sllovenisë dhe Kroacisë. Ndryshimi i kufijve ose demarkimi i kufijve nuk është çështje e madhe nëse bëhet si duhet. Prandaj kjo është ajo që ka bërë (ish-shefja e diplomacisë evropiane, Federica) Mogherini tre vjet më parë. Ajo gjë nuk është përjashtuar nga negociatat sepse ato duhet të jenë në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe rezultatet duhet të përkrahet nga të dyja.

Nuk dua të komentoj rreth situatës aktuale sepse pala kosovare ka humbur personin që përkrahur këtë gjë, Thaçin, mirëpo në përgjithësi duhet të jemi më pak emocionalë sa i përket çështjes së kufijve, sepse ka ndodhur në të kaluarën dhe nëse ofron zgjidhje dhe apo nëse kjo çështje diskutohet, ne duhet të dëgjojmë se cilat janë propozimet, gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën sepse është konsideruar menjëherë shumë kontraverse. As në Bashkimin Evropian nuk janë të një linje për këtë gjë. Prandaj BE-ja duhet që ndërmjetësuese të prezantojë rregullat e lojës.

Radio Evropa e Lirë: Por, tani nuk është çështja e njëjtë sikurse mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Tani po diskutohet këmbimi i një pjese të veriut të Kosovës, që ka shumicë serbe, me një pjesë të territorit në jug të Serbisë që ka shumicë shqiptare. Shumë frikësohen se kjo ide mund të përhapet edhe në Maqedoninë e Veriut dhe një Bosnje?

Wolfgang Petritsch: Pajtohem me ju. Kjo gjë duhet të mbikëqyret me një kujdes të jashtëzakonshëm, sepse ka shenja sikurse e përmendet ju që kjo ide mund t’i vë gjërat jashtë kontrollit. Por kjo pjesa e vështirë e procesit dialogues, që të shmanget përhapja apo pasojat e procesit. Unë pajtohem me amerikanët se duhet analizuar anën ekonomike dhe atë demografike pasi të rinjtë janë duke ikur nga Ballkani Perëndimor, kjo gjë duhet të ndalet. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Nëse negociatat vazhdojnë pafund dhe njerëzit nuk janë të kënaqur, njerëzit do të largohen. Në të kaluarën kemi pas spastrim etnik, derisa tani po ndodh spastrimi ekonomik. Njerëzit po ikin sepse nuk kanë vende të punës, ka pasiguri, në aspektin që nuk dihet se cilin shtet i përkasin, andaj është tejet e rëndësishme arritja e një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse. Pjesë e saj duhet të jetë ideja e Grenellit për zonë të lirë ekonomike, të cilën unë e kam propozuar vite më parë. Kjo gjë do të mundësonte zhvillimin ekonomik dhe përgatitje për anëtarësim eventual në Bashkimin Evropian. Ky duhet të jetë qëllimi, jo të ketë kaq shumë fokus në kufij.

Radio Evropa e Lirë: Kjo është e ngjashme me idenë e “Mini-Shengenit” Ballkanik, por Kosova nuk ka kundërshtuar këtë ide.

Wolfgang Petritsch: Po, “Mini-Shengeni” është një prej këtyre ideve, ose secila ide që bashkon më shumë njerëzit dhe shmang konfliktet etnike. Andaj besoj se qasja e BE-se, me Lajçakun në krye, do të sjellë rezultat. Por, mos prisni zgjidhje nesër. Ky do të jetë proces i gjatë dhe shpresoj që do të hartohet mirë dhe më pas besoj se do të ketë zgjidhje se të dyja shtete mund të thonë: Në rregull, pajtohemi.

Radio Evropa e Lirë: Beogradi i është gëzuar aktakuzës kundër Thaçit sepse kërkon drejtësi për krimet kundër serbëve gjatë luftës, por edhe sepse i ndihmon Serbisë në secilin proces të negocimit me Evropën dhe SHBA-në. A duhet të ndihet rehat Serbia në këto negociata apo edhe ajo duhet të jetë e shqetësuar po ashtu?

Wolfgang Petritsch: Duhet të negociojë seriozisht, kjo është e rëndësishme. Vuçiq tashmë ka paralajmëruar për një proces shumë të vështirë, shumë emocional, mirëpo që përmes tij duhet ta ruajë paqen. Kjo është qasje e mirë nga ana e tij.

Radio Evropa e Lirë: Po, Vuçiç ka thënë se procesi do të jetë shumë i vështirë dhe se Serbia duhet të bëjë sakrifica. Ju e përmendët edhe situatën me të dyja palët fituese. Çfarë duhet të sakrifikojë Serbia, ashtu që të dyja palët të arrijnë marrëveshje?

Wolfgang Petritsch: Kjo çështje është në dorën e Beogradit, mirëpo Beogradi mund të fitojë shumë. Një zgjidhje do të shmangte të gjitha pengesat për zhvillim ekonomik, për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vuçiq ka thënë më parë se synon anëtarësimin në bllokun evropian brenda pesë vjetëve, tani ky mendim tingëllon shumë optimist. Mirëpo zgjidhja do ta përshpejtonte këtë proces, i cili duket se është i rëndësishëm për Vuçiqin./REL

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat