Diplomati kaubojs Rik Grenell, sot i kishte flakur dhe çizmet dhe kapelen. Në intervistën që i ka dhënë kolegut Berat Buzhala, në prag të fillimit të dialogut shqiptaro-serb, në 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ai ka surprizuar me dy gjëra.
Nga njëra anë ai ka përgënjeshtruar njëkohësisht edhe Albin Kurtin që i trembej një marrëveshje me shkëmbim teritoresh, frikë kjo që është shfaqur po kaq e fortë edhe në mediat më të mëdha botërore edhe në kancelaritë e vendeve kryesore të BE-së, por njëkohësisht edhe ata që predikojnë krejt të kundërtën.
Deklaratat e tij kanë qenë në sens të ndryshëm me kërkesat për një marëveshje që i duhet sa më shpejt Kosovës, të cilën e trumbeton Thaçi, me gadishmërinë për sakrifica për të cilën flet Vuçiçi dhe në mospajtim me të tërë ata që shpresonin që Amerika të kishte çelësin e nënshkrimit të atypëratyshëm të një pakti që do të përfundonte me njohje reciproke.
Përkundër të gjithë këtyre fobive dhe pritshmërive, Rik Grenell ka folur si një politolog vizionar që pret që ekonomia e shëndoshë ti hapi rrugën paqtimit politik, që ka durimin të qëmtojë zgjidhje të rralla për diplomacinë e sotme, nga ato që i kalojnë mandatet kohore të një apo dy administrative, që shpreson naivisht se rritja e mirëqenies ekonomike dhe e punësimit do ti bëjnë kosovarët dhe serbët më të dashur me njëri tjertin.
Po ti besosh atyre që thotë ish ambasadori i Trump në Berlin, paratë që do të hidhen për autostrada, hekurudha, linja ajrore, do të sjellin begatinë e nevojshme ekonomike që do ti hapin rrugë paqes.
Pra, ndonëse krahasimet gjithnjë çalojnë, Grenell po flet për një mini plan Marshall, për Ballkanin, i cili do të prodhonte, ashtu si në Europën e djeshme të pasluftës një botë më të mirë. Por po ti shkojmë deri në fund krahasimit, frytet e ndihmës bujare Amerikane, në Gjermani nuk i korri Adenaueri, por Shmidi dhe Koli, në Francë nuk i gëzoi de Goli, por Zhiskar D’Esteni dhe Miterani.
Pra, nëse projekti i të dërguarit special të Trump është që në fillim të rimëkëmbë ekonominë e Serbisë dhe Kosovës, të ndalojë emigrimin e të rinjve, të zbusi papunësinë, ne do ta kemi një marëveshje finale në kohën kur edhe Grenell, edhe Thaçi edhe Vuçiçi mund të pijnë së bashku një kafe si pensionistë të ngeshëm dhe të lavdishëm.
Pra shkurt, po të dëgjoje intervistën e Grenell në T7, që predikonte me këmbëngulje vetëm përparimin ekonomik, që do hapte shtratin e një marëveshjeje politike, jo vetëm do të kishe të vështirë të besoje tek një zgjidhje të projektuar për të ardhmen e afërt, por nuk do të arsyetoje dot as veprimet e gjithë faktorëve lokalë në dy vitet e fundit.
Fjala vjen, kur ky është një proces i gjatë dhe i shtrirë në kohë, pse duhej organizuar një “grusht shteti” ndaj qeverisë së zgjedhur të Albin Kurtit që nuk u la as dy muaj në detyrë? Pse nxiton me galop Hashim Thaçi për të këmbëngulur se Kosovës i duhet njohja e shpejtë për të aderuar në oganizatat ndërkombëtare dhe për të shtuar njohjet? Pse i hakërrehet Vuçiçi kundërshtarëve të tij, duke u thënë se serbëve po u ikën një mundësi që mund të mos iu vijë më? Pse Edi Rama ka folur për një shanc që ndoshta të jepet vetëm në herë ne jetë?
Pra i bie që Trump dhe Grenell për të iniciuar startin e një plani afatgjatë, po tubokan në Shtëpinë e Bardhë të gjithë faktorët që luajnë për interesa afatshkurtra.
Çdo mendje që arrin të vërë në punë logjikën e ka vështirë ta përtypë këtë fabul.
Po ashtu, çdo kush që e njeh sadopak politikën, e ka të pamundur të imagjinojë se Albin Kurti qenkësh aq paranojak sa ti gjuante me shkelm dhuratave amerikane, të cilat ofroheshin pa asnjë çmim në këmbim.
Po ashtu, cilido që e ndjek diplomacinë franko- gjermane, nuk mund ta imagjinojë se si ata i kanë fryrë kot hapjes së kutisë së Pandorës dhe rrezikut të lojës me shkëmbim teritoresh.
Grenell, ky fantik i biznesit, ka garantuar se asnjë nga këto reziqe nuk ekziston.
Ai ka shpalosur sot projektin për një rajon më të begatë dhe më të pasur, ku aroma e parave do të fshijë kujtesën e gjakut.
Dhe për të mos marrë etiketën banale të “anti- amerikanit” ne i bie të luajmë rolin e idiotit dhe t’a besojmë. Të mbyllim sytë dhe të ëndërrojmë se serbët dhe shqiptarët do të jenë një ditë aq të pasur sa do të bien në dashuri mes veti, se do të shkojnë aq larg, në këtë rrugë, sa për të bërë paqe, nuk do të kenë nevojë ti lëshojnë koncesione njëri- tjetrit.