Nga dita e sotme do të lejohen udhëtimet për të gjitha linjat e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve.
Mirëpo, kjo do të vlejë vetëm për shtetasit italianë e të huaj të tjerë dhe shqiptarët që janë rezidentë në Itali, kanë një vizë pune apo për arsye shëndetësore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se në këtë situatë të re, përgjegjësia do të jetë e shoqërive të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve, të cilat duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të mundësuar rezervimin e lundrimit për dhe nga portet e Republikës së Shqipërisë.
“Shoqëritë e Transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve do të jenë përgjegjëse edhe për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga portet e Republikës së Shqipërisë dhe destinacionin e synuar si dhe rregullat e kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në destiancionin ku ata do të mbërrijnë”, thuhet në njoftim.
Mësohet se nga data 22 qershor do të mund të udhëtojnë shtetasit shqiptarë me rezidencë të përhershme në Itali dhe shtetasit e BE-së, do mund të udhëtojnë lirshëm nga Durrësi drejt porteve italiane.
Ndërsa, duke nisur nga data 1 korrik, transporti detar i pasagjerëve drejt Italisë do të jetë i hapur për të gjithë shtetasit shqiptarë.
Më 22 qershor, do të rinisin edhe fluturimet e rregullta ndërkombëtare nga aeroporti i Rinasit.