MENU
klinika

"Jemi pasardhës të Ismail Qemalit"

Opozita në Kuvend letër SHBA-BE: Pa plotësuar 2 kushte s’e votojmë reformën!

04.06.2020 - 15:32

29 deputetë të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë i kanë drejtuar një letër ambasadores së SHBA-së Yuri Kim dhe të BE-së Luigi Soreca ku shprehin indinjatën që propozimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë dhe vendosin dy kushte për të votuar reformën zgjedhore që po negociohet.

Deputetët e opozitës kërkojnë votimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-së dhe gjithashtu ndryshimin e sistemit, në të kundërt paralajmërojnë se nuk do të votojnë draftin. “Përjashtimi i plotë i opinioneve të larmishme të opozitës parlamentare është fyes. Ne jemi pasardhës të Ismail Qemalit dhe nuk pranojmë të konsiderohemi në këtë proces si qytetarë të dorës së dytë” thuhet ndër të tjera në letër.

Por në letër mungon firma e deputetes Rudina Hajdari, që është pjesë e këshillit politik, por edhe Ralf Gjonit e Andi Përmetit.

LETRA E PLOTE

Na lejoni që t’ju shprehim vlerësimet për konsideratën më të lartë për vendet dhe institucionet që ju keni nderin e madh të përfaqësoni në Tiranë. Ne shprehim gjithashtu konsideratën më të lartë për SHBA-në dhe BE-në, në përpjekjet e vazhdueshme që kanë synuar lehtësimin e konsensusit të nevojshëm për një reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse.

Lidhur me këtë proces ku ju jeni përfshirë, na lejoni t’ju shprehim përmes kësaj letre zyrtare dhe njëkohësisht publike, disa vlerësime dhe qëndrimet tona.

Së pari, një mësim i vjetër shqiptar na kujton gjithmonë se asnjëherë “nuk bëhen hesapet pa hanxhinë”. Ne vlerësojmë se përjashtimi i plotë i opinioneve të larmishme të opozitës parlamentare është fyes për të gjithë ne.

Ne jemi deputetë të ardhur në Kuvendin e Shqipërisë me pëlqimin dhe propozimin zyrtar të udhëheqësve të partive, që kanë braktisur sot Kuvendin.

Zgjedhja jonë ka qenë e qartë: mes luftës së verbër të revanshit politik të ish-udhëheqësve tanë dhe rrugës së respektit për zgjedhësit bashkë me respektin për frymën e Kushtetutës dhe të ligjit, ne vendosëm të zgjedhim Kushtetutën dhe Ligjin, aspak Luli Bashën dhe Monika Kryemadhin.

Ne zgjodhëm të ngremë zërin për njerëzit e thjeshtë, por kurrësesi luftën për pushtet apo zhurmën e protestave me molotov, që shkuan deri aty sa tentuan të djegin tempullin e demokracisë Kuvendin.

Në këto kushte ne jemi të vendosur së pari, të kërkojmë minimalisht trajtimin e barabartë me ata që janë jashtë Parlamentit, por nuk do të pranojmë aspak diskriminimin dhe fyerjen ndaj nesh.

Së dyti, ne kemi mendime të ndryshme dhe nuk i shërbejmë asnjë kryetari partie, por fatmirësisht SOT kemi një mendim të unifikuar për dy çështje themelore.

Të nderuar miq të Shqipërisë, deputetët e opozitës parlamentare, propozojnë:

A)Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë pasqyrë e pastër e reflektimit të plotë, jo copa-copa, të të gjitha rekomandimeve të raporteve të njepasnjëshme të OSBE/ODIHR dhe aspak pazari i radhës së dy partive të mëdha, ose më mirë ish “të mëdha”, dhe të patericës së tyre presidenciale për komisionerët e tyre partiakë, që kanë qenë dhe mbeten kanceri i zgjedhjeve prej 30 vitesh. Ne jemi të gjithë në një mendje: NJË PAZAR TË TILLË, QË MUND TË DUKET SI MARRËVESHJE POR QË KA SHKATËRRUAR REKOMANDIMET E VYERA TË ESKPERTËVE TË ODIHIRIT, NE NUK DO TA VOTOJMË.

B)Ne jemi po ashtu të një mendjeje, që Kodin e ri Zgjedhor, nuk do ta votojmë, në rast se shumica në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur me ne, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA.

E nderuar zonja Ambasadore Kim,

I nderuar zoti Ambasador Soreca,

Ne nuk jemi vipa të politikës shqiptare, sepse jemi njerëz të thjeshtë,

Ne nuk jemi miqtë e preferuar të ambasadave në Tiranë, të drekave dhe darkave aristokrate, megjithëse miqësia jonë për ju dhe shtetet (institucionet) tuaja lidhet vetëm me interesat e Shqipërisë, aspak me karrierat tona personale.

Por ne jemi shqiptarë pasardhës të Ismail Qemalit, që nuk pranojmë të konsiderohemi në këtë proces si qytetarë të dorës së dytë, apo si kartona në dizpozicion të shumicës apo marrëveshjeve mes kundërshtarëve tanë politik, të dyja palët fajtorë të kësaj situate në Shqipëri.

Kultura jonë qytetare dhe politike nuk është as kultura e diktatit të Kryeministrit Rama, as kultura e bllokimit dhe e frikës nga zgjedhjet të Kryetarit aktual të Partisë Demokratike.

Dy pikat tona janë parimore dhe meritojnë të gjithë vëmendjen dhe respektin tuaj.

Ne kemi besim dhe duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju urojmë suksese në misionin tuaj fisnik. Ne ju garantojmë gatishmërinë tonë për të dhënë konsensusin tonë të pazëvendësueshëm për të votuar Kodin e ri Zgjedhor, mbi bazën e respektit reciprok pa kompromise në formë pazari për pikën e parë, apo nëëformë listash të mbyllura në pikën e dytë.

Duke ju garantuar konsideratën tonë më të lartë, ne kemi autorizuar kryetarët e grupeve tona parlamentare, për te vijuar komunikimin me ju.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!