MENU
klinika

Epidemiologu Alimehemeti: Shqipëria vendi i fundit në Evropë...

Pandemia/ Cili ishte gabimi gjatë rihapjes, që situata u përkeqësua?

29.06.2020 - 08:15

Për sa i përket numrit të testimeve në popullatë për të evidentuar virusin COVID-19, duket se Shqipëria mban vendin e fundit. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehemeti, tregon se vendi ynë po kryen testime të pakta, krahasuar me çdo vend tjetër në Evropë. Mjeku thekson se virulenca e virusit ka rënë dhe se jemi larg përmbytjes së sistemit shëndetësor.

Nga Ina Allkanjari

Shqipëria, vendi i fundit në Evropë për numrin e testimeve. Po të ishim në shkollë, mësuesi do të na thoshte: “Ulu! Katër!”. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, epidemiologu Ilir Alimehmeti, i cili theksoi se jemi shumë larg vendeve të tjera, për sa i përket numrit të testimeve.

I pyetur lidhur me virulencën e virusit, mjeku shprehet se ka rënie dhe kjo vërehet në të gjithë botën. Sipas tij, të gjitha shtetet e përparuara tregojnë se virusi u është nënshtruar disa mutacioneve që, sikurse prisnim, e përshtatin më shumë me njeriun. Dr. Ilir Alimehmeti shprehet se në Shqipëri, fatkeqësisht, nuk kryejmë dot një studim mbi virusin, sepse nuk është mundësia laboratorike për izolimin e virusit, por, sipas një analize të bërë prej tij, në vendin tonë më 25 mars 2020, 58,1% e rasteve aktive me COVID-19 ishin të shtruar në spital, ndërsa nga përditësimi i fundit, i bërë në datën 26 qershor 2020, edhe pse numrat janë rritur dhe kemi 920 raste aktive, vetëm 87 janë të shtruar në spital, pra 9,5%. Alimehmeti nënvizon se në miliona vite kemi fituar kundër çdo virusi apo bakteri, falë imunitetit dhe mekanizmave tanë biologjikë dhe gjenetikë. Ndaj, sipas tij, nuk ka asnjë dyshim që do ta dominojmë edhe këtë virus të radhës.

A ka një strategji funksionale për menaxhimin e COVID-19 në Shqipëri?

Jam i bindur që një strategji do të jetë hartuar nga autoritetet, por ajo nuk është bërë publike, si rrjedhojë, nuk kam informacion mbi përmbajtjen e saj. Së fundmi numri i pacientëve të shtruar me COVID-19 ka pësuar rritje.

Me këtë ritëm, a rrezikojmë ta fusim shëndetësinë në kolaps?

Jemi larg përmbytjes së sistemit. Burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë kanë njoftuar praninë e 500 shtretërve spitalorë dhe të 165 shtretërve të terapisë intensive, që mund të vihen në dispozicion ekskluziv të rasteve me COVID-19. Kriteri i alarmit në SHBA për përmbytjen e sistemit është përdorimi i 70% të shtretërve. Në shifrat tona, kjo përkthehet në 350 shtretër spitalorë dhe në 115 shtretër të terapisë intensive. Këtu do të fillonte alarmi, por kapaciteti ka edhe një interval tolerance prej 30%, përpara se të mbërrihet kolapsi që përmendni ju.

A i ka vendi ynë kapacitetet e duhura spitalore, në rast se ky numër që kërkon hospitalizim vijon të rritet?

Bazuar në shifrat e mësipërme dhe në kriterin e përdorur, qartësisht vendi ynë i ka kapacitetet spitalore të nevojshme. Ju kujtoj gjithashtu se për arsye të gripit sezonal, rastet më të shumta të të cilit ishin në periudhën ndërmjet javës së dytë të janarit dhe javës së katërt të shkurtit, kemi pasur 226 pacientë të shtruar në terapi intensive dhe nën oksigjenim me sëmundje tepër të rënda respiratore akute dhe 761 pacientë të shtruar me sëmundje të rënda respiratore akute (Buletini i Gripit nr. 15, 8 mars 2020, ISHP). Edhe pse këto shifra mund të duken të larta në pamje të parë nga popullata, në asnjë moment nuk është diskutuar kapaciteti spitalor, i cili i bëri ballë pa asnjë bujë, me profesionalizëm dhe me modesti absolute.

QSUT-ja e konsideruar si vatër infeksioni, ndërkohë spitali duhet të ishte institucioni më i mbrojtur. Pse kjo situatë?

Në fakt, kjo është pyetje që u duhet drejtuar strukturave drejtuese, që shpresoj ta kenë analizuar situatën hollësisht. Që në krye të herës është ditur se qendrat shëndetësore janë shumë të riskuara nga COVID-19, si nga çdo sëmundje infektive. Për veçoritë e sistemit tonë shëndetësor, ne kemi vetëm një spital tretësor universitar dhe ai duhet të ruhej si “sytë e ballit”. Në muajt e parë të epidemisë pati një izolim shumë të fortë të QSUT-së, dhe kjo ishte meritë e patjetërsueshme e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore – QKUM, ose e njohur ndryshe si 127-a. Ajo mbajti peshën dhe u kthye në digë për mosinfektimin e QSUT-së. Në momentin që kjo digë u hoq, u zbulua që shumë pak ishte bërë nga QSUT-ja për mbrojtjen e personelit dhe të pacientëve. Pra, koha që u fitua nga QKUM-ja me shumë vështirësi, nuk u përdor si duhet në QSUT.

Protokolli i mbrojtjes spitalore është shumë i thjeshtë. Çdo person që punon në spital, qoftë personel shëndetësor, administratë apo edhe thjesht rojë, duhet testuar sa më shpesh dhe të vazhdojë punën vetëm nëse është negativ. Në Itali testimi kryhet të paktën dy herë në muaj në të gjitha spitalet, duke arritur kulmin në testim dy herë në javë, në spitalin universitar të Padovës. Gjithashtu, testohet çdo pacient që planifikohet të shtrohet në spital dhe shtrohet vetëm nëse rezulton negativ. Së fundmi, asnjë familjar nuk lejohet të hyjë nëpër qendra shëndetësore. Ndërkohë që QSUT-ja përdoret shpesh edhe si parking me pagesë për makinën nga komuniteti përreth. Këto janë dallime të thjeshta që duhen ndryshuar sa më shpejt. Virusi nuk zbulohet dot me sy dhe as me shenja, pasi shpesh mjaft persona nuk kanë fare simptoma. Virusi zbulohet vetëm me testime. QSUT-ja duhet të jetë në gjendje t’i kryejë vetë testimet për personelin dhe pacientët e saj, ndërkohë që këto testime kanë qenë gjithnjë të centralizuara, vetëm në ISHP.

Me çfarë medikamentesh po kurohen personat e prekur me koronavirus?

Mjekët infeksionistë dhe mjekët e terapisë intensive kanë dijeni të hollësishme për skemat specifike të trajtimit, pra janë ata profesionistët që duhen pyetur. Ajo që mund të them është se në QSUT nuk ka mungesë të asnjërit prej medikamenteve që po përdoren në shtetet më të përparuara. Në mënyrë konstante evidenca mbi mjekimin po përditësohet dhe ky përditësim reflektohet edhe në kurën e pacientëve nga stafi mjekësor shqiptar, që po bën një punë të përgëzueshme si gjithnjë. Gjithashtu, jeni në dijeni që Shqipëria është pjesë e studimit të OBSH-së për trajtimin e COVID-19, duke e vendosur stafin shqiptar në përditësim të vazhdueshëm me të dhënat më të reja të trajtimit në botë.

A po kryhen sa duhen testime në popullatë?

Kjo pyetje e merr vetë përgjigjen nga fakti që jemi vendi i fundit në Evropë për numrin e testimeve në 1 milion banorë. Numri i testimeve në Shqipëri për 1 milion banorë është 7708, ndërkohë që vendi i parafundit në Evropë është Ukraina, me 14190 ekzaminime, pra gati dyfish më shumë. Ndërsa për krahasim në rajon, për 1 milion banorë Mali i Zi ka kryer 20995 teste (2,7 herë më shumë), Bosnja ka kryer 26998 teste (3,5 herë më shumë), Maqedonia e Veriut ka kryer 27268 teste (3,5 herë më shumë), ndërsa Serbia ka kryer 42903 teste (5,6 herë më shumë).

Shifrat flasin qartë. Jemi shumë shumë larg të tjerëve. Po të ishim në shkollë, mësuesi do të na thoshte: “Ulu! Katër!”

Cili ishte gabimi gjatë rihapjes, që situata u përkeqësua?

Asnjë gabim. Hapja ka qenë shumë korrekte nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Madje, u tregua një kujdes edhe më i madh nga sa nevojitej dhe hapja mund të kishte filluar që më 14 prill. Shifrat e rasteve të reja do të shtoheshin si rrjedhojë e hapjes, pa asnjë dyshim. Hapja ishte e saktë, por ndërkohë njerëzit po humbnin besimin, duke arritur deri në nivelin absurd të mohimit të ekzistencës së virusit. Prandaj nevojiten figura të besueshme publike që të ndërgjegjësojnë vazhdimisht popullatën, duke përfshirë politikanë të të gjithë spektrit politik, profesionistë, gazetarë dhe personazhe të njohura.

Le të bëjmë një krahasim me Gjermaninë, si shtet pararojë kundër COVID-19. Atje është në fuqi si kriter alarmi gjetja e 50 rasteve të reja në 100000 banorë në javë (NDR Info, 14 maj 2020). Në Shqipëri janë regjistruar 431 raste të reja në javën e fundit, ndërkohë që me kriterin gjerman alarmi vendoset në 1423 raste në javë. Pra, jemi në nivelin e 30,3% të tolerancës në shkallë kombëtare, nëse do të ishim gjermanë.

E vetmja gjë që mund të bëhej ishte rritja e kapacitetit gjurmues epidemiologjik pas hapjes. Në Gjermani, kancelarja Merkel së bashku me kryeministrat e 16 landeve, në datën 20 prill deklaruan se gjatë hapjes duhet të kishin 5 gjurmues për çdo 20000 persona, në mënyrë që ta mbanin situatën nën kontroll pas hapjes (RTL, 20 prill 2020). Dhe në fakt, ata po e arrijnë këtë fitore.

Sa e rrezikshme është hapja e transportit publik?

Në mënyrë absolute është elementi më i rrezikshëm i hapjes. Përfaqëson të gjitha kriteret e rrezikshmërisë. Vend i mbyllur, me shumë njerëz, me pamundësi të mbajtjes së distancës dhe me kontakte të vazhdueshme. Në këtë aspekt do të ishte momenti i duhur për të eliminuar figurën e fatorinos në mjetin e transportit dhe zëvendësimin e tij me kabina ku blihen biletat, të cilat validohen në mjetin e transportit. Duke qenë se as ky element nuk është shfaqur, element i cili shkon në favor të financave të kompanive të transportit, dyshoj shumë se elementet e tjera do të zbatohen. Personalisht këshilloj fort evitimin e transportit publik dhe, nëse nuk ka asnjë mundësi alternative, patjetër të përdoren maskat dhe të mbahet distanca në mënyrë të rreptë.

A ka rënie në virulencën e virusit?

Po, kjo vërehet në të gjithë botën. Të gjitha shtetet e përparuara tregojnë se virusi u është nënshtruar disa mutacioneve që, sikurse prisnim, e përshtatin më shumë me njeriun. Ky fenomen, i quajtur homoplazi në gjuhën teknike, është shfaqja e mutacioneve të ndryshme e të pavarura në zona të ndryshme gjeografike, por që konvergjojnë drejt po të njëjtit fenotip, pra “zbutjes” së virusit përmes përshtatjes me bartësin që në këtë rast është njeriu (Lucy van Dorp et. al. Infections, Genetics & Evolution (2020) 104351).

Në Shqipëri, fatkeqësisht nuk kryejmë dot një studim mbi virusin që sillet ndër ne, sepse nuk është mundësia laboratorike për izolimin e virusit dhe nuk janë vënë në dispozicion fonde për kërkimin shkencor në drejtim të COVID-19. Ajo që mund të shohim është shprehja klinike e virusit. Në Shqipëri, më 25 mars 2020, 58,1% e rasteve aktive me COVID-19 ishin të shtruar në spital. Ndërsa sot, 26 qershor 2020, edhe pse numrat janë rritur dhe kemi 920 raste aktive, vetëm 87 janë të shtruar në spital, pra 9,5%. Ky është një vëzhgim klinik, i cili është i ngjashëm me atë që vërehet në shtetet e tjera. Dhe, në fakt, ky virus është zbuluar pikërisht nga një vëzhgim klinik i një mjeku okulist në Kinë. Klinika është pika kyçe dhe jo elementet virologjike apo gjenetike.

Kemi fituar kundër çdo virusi apo bakteri në miliona vite, falë imunitetit dhe mekanizmave tanë biologjikë dhe gjenetikë. Nuk ka asnjë dyshim që do ta dominojmë edhe këtë virus të radhës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!