MENU
klinika

Pentagoni 'identifikon' Huawei

Firmat që zotërohen nga ushtria kineze, priten sanksione të reja

29.06.2020 - 13:17

Administrata e Donald Trump ka identifikuar se disa firma të mëdha kineze, përfshirë gjigantin e telekomunikacionit Huawei dhe kompaninë e kamerave të mbikëqyrjes, Hikvision, janë të zotëruara nga ushtria kineze, çka mund të sjellë sanksione të reja financiare.

Washingtoni vendosi Huawei dhe Hikvision në një listë të zezë tregtare vitin e kaluar, prej shqetësimeve të sigurisë kombëtare dhe ka udhëhequr një fushatë ndërkombëtare për të bindur aleatët që të përjashtojnë Huawei nga rrjetet 5G. Një dokument i Departamentit të Mbrojtjes listoi 20 kompani që operojnë në Shtetet e Bashkuara dhe që Washingtoni dyshon se janë të mbështetura nga ushtria kineze. Dokumenti përfshin gjithashtu “China Mobile Communications”, “China Telecommunications” si dhe prodhuesin e avionëve “Aviation Industry Corp of China”.

Etiketimet u ndërmorën nga Departamenti i Mbrojtjes, që ka marrë mandatin nga një ligj i vitit 1999 për të hartuar një listë të kompanive të ushtrisë kineze që operojnë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ato që zotërohen nga Ushtria e Çlirimtare e Popullit. Etiketimet e Pentagonit nuk sjellin gjoba, por ligji thekson se presidenti mund të vendosë sanksione që përfshijnë bllokimin e të gjithë pronësisë të këtyre firmave.

Kompania e kamerave, Hikvision, e quajti hetimin të pa bazë, duke thënë se nuk ka marrë asnjëherë pjesë në ndonjë punë për aplikimet ushtarake dhe shtoi se do të bashkëpunojë me qeverinë e SHBA, për të zgjidhur çështjen. Pentagoni është vendosu nën presion nga politikanët e të dy partive që të publikojë listën, prej tensioneve mes Washingtonit dhe Pekinit mbi teknologjinë, tregtinë dhe politikat e jashtme.