MENU
klinika

Detyrim për “zbardhjen” e aksionerëve

QKB, apel kompanive: Sillni emrat, ose do të gjobiteni!

15.06.2020 - 13:01

Shoqëritë aksionare, së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit, kanë detyrim të njoftojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në rast se kanë kryer ndryshime në aksionerët e tyre, listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj.

Qendra Kombëtare e Biznesit u kërkon shoqërive aksionere të zbatojnë ligjin “Për Regjistrimin e Biznesit” i ndryshuar, të miratuar së fundmi në Parlament, duke kujtuar se mosrespektimi i këtij detyrimi përbën kundra-vajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 100 mijë lekë.

Sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare të Bizneset, përditësimi i listës së aksionarëve duhet të depozitohet në regjistër në një aplikim të veçuar nga bilanci, në mënyrë që gjendja e regjistrit të jetë e përditësuar sipas gjendjes së re të shoqërisë.

Ky ligj reflekton rekomandimet që i janë dhënë vendit tonë nga Komitet MONEYVAL i Këshillit të Europës, lidhur me masat që duhet të marrë vendi ynë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe synon rritjen e mëtejshme të transparencës lidhur me ndryshimet e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN