Në Evropë është gjendja më e mirë se në SHBA? Por edhe Londra, Parisi, Brukseli e Berlini kanë probleme të mëdha me racizmin. Edhe në këto vende po protestohet.
Ndër detyrat e komisionerit të BE, Margaritis Schinas është ruajtja e “stilit evropian të jetesës”. Politikani grek e sheh si obligim edhe luftën kundër racizmit. “Ne kemi më pak probleme se SHBA, sistemet tona sociale janë më të mira”, shpjegoi Schinas, në një manifestim të organizatës “Delphi Economic Forum”. Por edhe ai pranon se në çështjen e barazisë kanë mbetur edhe shumë gjëra për t’u bërë.
Problemet franceze
Ndër temat me të cilat duhet të merremi është edhe diskriminimi në fushën e kërkimit të punës. Për studenten franceze të juridikut, Kesiah Etame Yescot, ky është një problem i hidhur. Ajo ka kërkuar në shumë vende të bëjë një praktikë, por pa sukses. Vendet janë të zëna, ishte përgjigja më e shpeshtë. “Ata duan të na thonë, se ne jemi të pranueshëm për shoqëri. Por mendoj se kjo nuk qëndron. Nuk është sikur në rastin e George Floyd në SHBA, ku racizmi shihet edhe nga 1.000 kilometra largësi, por ky është një racizëm më i fshehur. Në Francë e vëren këtë tek gjërat e vogla, tek kërkimi i punës apo në rrugë, pa asnjë shkas”. Edhe Kesiah ka protestuar në fundjavë, sikur mijëra francezë të tjerë, kundër racizmit dhe diskriminimit. Ndër shkaqet e protestave ishte rasti spektakolar i dhunës policore dhe vdekja e Adama Traoré në vitin 2016.
Reagimet e policisë
Nuk bëhet fjalë vetëm për trajtimet brutale – në paralagjet franceze ku “Racial Profiling” është një përditshmëri. Kështu thuhet në një anketë të Këshillit të Evropës me 5.000 të rinj me origjinë afrikane, e cila dëshmon se ata 20 herë më shumë kanë qenë në shënjestër të policisë, në krahasim me banorët e tjerë të Francës. Protestat në Francë kanë rezultuar me një sukses. Ministri i Brendshëm Christophe Castaner ka ndaluar kapjen për fyti të personave që arrestohen. Ai mohon racizmin në polici, por pranon se dica policë janë racistë.
Sundimi kolonial dhe gjenocidi
Protesta ka pasur edhe në Bruksel. “Kemi ardhur për të protestuar, sepse Brukseli është kryeqyteti i Evropës”, thotë një nga organizatoret. Brända Auchimba është e zemëruar me diskriminimet e përditshme, sulmet e policisë dhe ndalimin e të rinjve afrikanë në çdo qoshe. Përveç kësaj, ajo dëshiron që të largohen fotografitë e Mbretit belg Leopold II. (1835 – 1909), sepse Belgjika ka qenë fuqi koloniale në Kongo, gjë që tani harrohet. Vetëm në vitin 1998, historiani Adam Hochschild ka rikujtuar gjenocidin dhe shfrytëzimin e atëhershëm. Rreth 10 milionë njerëz kanë vdekur nën regjimin kolonial të Leopold II. në Kongo. Deri më sot në librat shkollore po heshtet për këtë pjesë të historisë. “Shpresoj se njerëzit do ta kuptojnë edhe këtë fakt dhe do ta heqin përmendoren e tij”, thotë Brända. Në Antverpen është hequr ndërkohë përmendorja nga rruga dhe është dërguar në muze.
Lufta e kulturave në Britani
Në Londër edhe vet kryetari i bashkisë Sadiq Khan ka kërkuar heqjen e një përmendoreje – të Robert Milligan. “Kjo është një histori e hidhur, sepse një pjesë e madhe e pasurisë sonë vjen nga koha e skllavërisë. Por këtë nuk duhet ta festojmë në vendet publike. Ministri i Brendshëm Priti Patel nuk është dakord me këto protesta. Personat që kanë dëmtuar përmendoret duhet të ndiqen, mendon ai. “Britania e Madhe nuk është e pafajshme. Policia dhe shteti kanë trajtuar ndryshe shumë njerëz me ngjyrë dhe nuk janë nxjerrë kurrë para drejtësisë”, mendon një demonstrues. “Do të ishte mirë që gjendja të rishikohet dhe të ndryshojë”, thotë një tjetër. Solidariteti me zhvillimet në SHBA ka nxjerrë në sipërfaqe edhe problemet në Britani të Madhe, ku ka pasur edhe skandale serioze, si për shembull “Windrush Skandal”, ku janë deportuar persona me origjinë nga Karaibet, ndonëse kanë jetuar me dekada të tëra në Britani. Ata janë dëbuar vetëm për shkak të një gabimi në dokumenta, të bërë nga administrata.
“Identifikimi i problemeve”
“Në Evropë ka shumë shembuj të racizmit institucional dhe individual”, thotë eksperti i kriminalistikës, Ben Bowling, nga Kings College. Por përmasat e dhunës policore në SHBA janë më ekstreme, sepse policia vret atje rreth 1000 persona në vit. Problemi është se si trajtohen të huajt. “Shihet se në Britani të Madhe ka një trajtim më ndryshe të personave me ngjyrë apo të aziatikëve. Përkufizimet e minoriteteve shihen në Gjermani, Francë dhe gjithandej ku jetojnë grupe të tilla. Policia i identifikon këto zona si problematike.” Por diskriminimi tejkalon përmasat e policisë. Kjo shihet në ekonomi, arsim, në familje. Vendet e Evropës duhet të pranojnë se e ardhmja është e shumëllojshme dhe multikulturoe dhe se të gjithë ata duhet të kenë shanse të barabarta.
“Më vjen turp”
Por Evropa është ende shumë larg nga pranimi i këtij problemi. Vetëm 24 nga 705 deputetët e Parlamentit Evropian janë me origjinë nga Afrika, ndonëse rreth 10% e popullatës evropiane është me origjinë afrikane. Një prej tyre është suedezja Alice Kuhnke. “Më vjen turp, sepse ne nuk i prezantojmë njerëzit sa duhet. Në të ardhmen duhet të ketë më shumë deputetë me origjina të ndryshme”. Kuhnke është raportuese e BE për antidiskriminim, që nga viti 2008. Propozimi ligjor për trajtimin e barabartë të njerëzve po bllokohet nga shumë vende anëtare. As gjysma e vendeve evropiane nuk kanë ndonjë plan aksioni për luftë kundër racizmit. Suedezja shpreson se kjo gjendje do të ndryshojë, por vendet duhet të veprojnë dhe jo vetëm të flasin./DW