Shqipëria, më e varfra e Evropës për të ardhurat, është vendi që ka çmimet më të larta në rajon për disa kategori, si “ushqime e pije joalkoolike”, dhe sidomos për veshje e pajisje elektronike, duke u krahasuar me mesataren evropiane. Ndërsa kanë më pak të ardhura se të gjithë (31% e mesatares evropiane), familjet shqiptare përballen me çmime të larta të ushqimeve, çka i bën ato edhe më të varfra.
Eurostat-i ka publikuar sot të dhënat e krahasueshme mbi nivelin e indeksit të çmimit të konsumit për mallrat dhe shërbimet, i cili mat diferencat në çmime mes vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë dhe rajonin. Në përgjithësi, në Shqipëri, çmimet janë sa 57% e mesatares së BE-së (nga 54% në 2018-n), më të lartat në rajon, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi. Më e lira është Maqedonia, sa 50% e mesatares së BE-së dhe më pas Bosnja, me 55% (të dhënat për Kosovën mungojnë). Për disa kategori, Shqipëria është më e shtrenjta.
Për ushqime dhe pije joalkoolike, çmimet janë sa 82% e mesatares evropiane, ndërsa Mali i Zi, me të ardhura më të larta e ka 79%, Serbia (78%), Bosnjë-Hercegovina (76%), ndërsa më të lira, ushqimet janë në Maqedoninë e Veriut (61%). Maqedonia e Veriut është vendi ku ushqimi kushton më lirë se në çdo vend tjetër të Evropës.
Shqipëria mban rekord dhe për peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime, ku familjet harxhojnë mesatarisht 44% të totalit për të përmbushur nevojat për t’u ushqyer (mesatarja e BE-së është 12%). Më të shtrenjtat në rajon janë dhe veshjet, që janë pothuajse të barabarta me mesataren evropiane (97%).
Në Mal të Zi janë sa 88%, Serbi (94%), në Maqedoninë e Veriut (76%). Veshjet më të lira në Evropë i gjeni në Turqi (45%) dhe më të shtrenjtat në Danimarkë, sa 132% e mesatares evropiane. Mbi mesataren evropiane janë çmimet e pajisjeve elektronike (103%), ku më e shtrenjtë se ne është vetëm Serbia (113%).
Shqipëria dhe Maqedonia kanë restorantet më të lira në Evropë, mesatarisht 46 dhe 45%, ndërsa më i shtrenjti është Mali i Zi (57%). Për çmimet totale, vendi më i lirë në Evropë është Turqia, me 47% të mesatares evropiane dhe më i shtrenjti Zvicra (162%). Ushqimet më të shtrenjta i gjeni në Zvicër (163%), kurse më të lirat në Maqedoninë e Veriut (61%).