Fatkeqësitë natyrore të ndodhura në gjysmën e dytë të vitit 2019, kanë ndikuar në frenimin e përgjithshëm të ekonomisë në vend dhe ngadalësimin e ritmit të rritjes së të ardhurave të bashkive nga burimet e veta, megjithëse në disa prej tyre nuk është ndjerë asnjë efekt negativ.
Raporti i financave vendore ka analizuar efektet e zgjedhjeve lokale dhe të të dy tërmeteve të ndodhura në Shtator dhe Nëntor, në 11 bashkitë më të prekura, si Tiranë, Durrës, Lezhë, Kurbin, Krujë, Kavajë, Kamëz, Peqin, Rrogozhinë, Shijak dhe Vorë.
Të ardhurat nga burimet e veta vendore vlerësohet të jetë kategoria e cila do të prekej drejtpërdrejt nga këto ngjarje në disa prej zërave të saj, si taksa mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier, taksa e pronës, tarifat vendore mbi zënien dhe përdorimin e hapësirave publike, tarifat e shërbimeve etj.
Megjithatë, raporti citon se të ardhurat nga burimet e veta vendore për vitin 2019 rezultojnë në rritje për bashkitë Lezhë me 67.3 për qind, Peqin me 37.7 për qind, dhe Shijak me 14.4 për qind.
Në rritje me ritme të moderuara, rezultojnë të ardhurat në bashkitë Rrogozhinë me 6.6 për qind, Tiranë me 6.1 për qind, Kavajë me 3 për qind, Kamëz me 1.4 për qind, dhe Durrës me 1.2 për qind. Në të kundërt, të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuar rënie në bashkitë Krujë me 4.8 për qind, Vorë me 4.4 për qind dhe Kurbin me 0.4 për qind.
Sipas raportit, vlerësohet se efektet mbi të ardhurat nga burimet e veta vendore do të jenë më të ndjeshme përgjatë vitit 2020.