MENU
klinika

Propozimi

Tenisi si Formula 1 dhe NBA, me paketën “2 në 1”

04.06.2020 - 19:25

Duket se ka një zgjidhje edhe për turnetë ndërkombëtarë të tenisit, të paktën të atyre që zhvillohen në të njëjtin shtet ose afër gjeografikisht në dy vende. Turnetë e tenisit janë zyrtarisht të pezulluara deri më 31 korrik për shkak të koronavirus dhe nuk dihet ende se si do të jetë pjesa e dytë e këtij viti në këtë sport.

Shoqata Amerikane e Tenisit (USTA), që organizon edhe US Open, ka bërë një propozim surprizë. Turneu Masters i Sinsinatit dhe grand slam i US Open të zhvillohen në të njëjtin vend, në New York.

Propozimi është që të dy turnetë të zhvillohen në mjediset e “Flushing Meadows”, ku zhvillohet grand slam i US Open. Tenisi amerikan mund të ndjekë kështu modelin e NBA-së, që do të zhvillojë pjesën e mbetur të sezonit në Orlando.

Por më shumë u ngjan garave të Formula 1, ku në Austri dhe Angli do të zhvillohen nga dy të tilla. Sipas USTA, për të do të jetë më e lehtë të kontrollojë tenistët, stafet e tyre dhe personelin organizator me teste të shpeshta nëse dy turnetë zhvillohen në të njëjtin vend. Mësohet se kjo ide është pëlqyer nga tenistët, pritet vendimi i federatës botërore.