Pas gati një viti si kryesues i dialogut Kosove-Serbi, Richard Grenell bëri lëvizjen e tij më të madhe, ndërkohë që skena politike kosovare po shtronte tapetin e kuq për të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. I dërguari i presidentit Trump duket se “vodhi” shfaqen, duke njoftuar se Kosovën dhe Serbinë do të mbajnë një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Duke i dërguar një mesazh të qartë Bashkimit Europian se dialogu mund të fillojë vetëm nga Uashingtoni, Grenell, njoftoi se qeveria e drejtuar nga kryeministri i ri Avdullah Hoti dhe Beogradi zyrtar ka rënë dakort që të mblidhen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. I dërguari i Trump duket se ishte një hap përpara Lajçak, duke deklaruar madje se të dyja palët janë pajtuar që të heqin të gjitha pengesat për dialogun.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe prishtina u zotua që të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare.
Edhe pse nuk dha detaje për takimin që pritet të mbahet, i dërguari i presidentit Trump e bëri të qartë se tanimë SHBA ka përcaktuar rrjedhën e marrëveshjes së ardhshme mes dy vendeve dhe se Kosovës dhe Serbisë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të pranojnë të firmosin ose jo.
“Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni”, shkruan Grenell në Twitter, ndërsa administrata Trump nuk është se ka shumë kohë, pasi zgjedhjet presidenciale mbahen në nëntor.
Qeveria Hoti është cilësuar vazhdimisht si “qeveria e dialogut”, por askush nuk priste që bisedimet të fillonin brenda një kohe kaq të shkurtër. Sipas ekspertëve, koha që pritet të arrihet kjo marrëveshje, ka të ngjarë të jetë po aq e shkurtër.
Gazeta amerikane “Wall Street journal” shkruan se takimi në Shtëpinë e Bardhë është kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump, duke shpresuar se do t’u mundësojë palës shqiptare dhe asaj serbe të arrijnë marrëveshje para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Gazeta amerikane “Wall Street journal” citoi zyrtarë amerikanë të deklaronin se Trump shpreson që të sigurojë marrëveshje zyrtare afatgjate paqësore në Ballkanin Perëndimor, të cilin e konsideron si një vatër të rivalitetit mes superfuqive”, me qëllim përmirësimin e arritjeve e tij në politikën e jashtme.
Gazeta vlerëson se fillimi i ri i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit “tanimë shkakton polemikë në Evropë”, ku diplomatët thonë se BE-ja mund të mënjanohet “në oborrin e vet të shtëpisë”.
“Edhe krahas konfliktit mes Evropës dhe SHBA-së për presion nga administrata Trump, rezultat i suksesshëm do të zgjerojë ndikimin perëndimor në Ballkan, ku Kina dhe Rusia po konkurrojnë në mënyrë agresive për ndikim, veçanërisht nga fillimi i pandemisë Covid-19”, njoftoi gazeta amerikane “Wall Street journal”.
Gazeta i referohet një zyrtari të lartë anonim amerikan, i cili njoftoi se Trump kishte qenë personalisht i interesuar për këtë çështje vitin e kaluar, pasi liderët iu drejtuan administratës së tij. Një burim në administratën e tij tha se bashkëpunëtorët e Trumpit besonin se zgjidhja për mosmarrëveshjen e gjatë mes Kosovës dhe Serbisë do t’i jepte atij avantazh para zgjedhjeve, veçanërisht pasi bisedimet me Korenë e Veriut dhe presioni ndaj Iranit kishin “rezultate të kufizuara”. Ajo thekson se qeveria e re e Kosovës është më e gatshme të bisedojë me Serbinë “nën patronazhin e SHBA-së” se sa ajo e mëparshmja e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Duke folur pas deklaratës së Grenell, Hoti tha se vazhdimi i dialogut do të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, për të çuar më pas në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Aktivitetet e koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Qeverinë amerikane dhe Richard Grenell kanë prodhuar rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalë fushatën kundër njohjes së Kosovës”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter.
Por takimi në Shtëpinë e Bardhë i liderëve të Kosovës dhe Serbisë ka shkakton polemika të ashpra në Europë”, ku diplomatët thonë se BE-ja mund të mënjanohet “në oborrin e shtëpisë”.
Europa dhe SHBA-ja kanë bashkëpunuar tradicionalisht si partnere në Ballkan, por marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duket se çuar në një konkurrencë të fortë gjeopolitike mes aleatëve. Gjermania dhe Franca kanë shtuar po ashtu presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë bënë thirrje të dy palëve të rifillojnë bisedimet në Paris, të përkrahura nga BE. Presidenti francez Emmanuel Macron ftoi një javë më parë Prishtinën dhe Beogradin në një samit për të çuar dialogun më tej. Si Macron ashtu edhe Merkel mësohet se kanë shprehur dyshime se presioni ekonomik i Uashingtonit do të çonte në zgjidhje të, “çështjes kryesore politike, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.”.
BE ka dërguar në Prishtinë të dërguarin e saj special për dialogun, zotin Lajçak, pikërisht për të caktuar një datë për nisjen e dialogut . Lajçak ishte planifikuar që të arrinte të hënën në Prishtinë, por fluturimi nga Zvicra drejt Shqipërisë, prej ku më pas do të vinte në Kosovë, është anuluar.
Edhe pse është vetëm një ditë me vonesë, atmosfera që Lajçak do të gjejë në Prishtinë ka të ngjarë të jetë shumë ndryshe nga ajo e së hënës.
Presidenti Hashim Thaci deklaroi sot në një konferencë për shtyp se ende nuk e dinte nëse do ta priste zoti Lajçak dhe se fokusi i tij më i madh ishte mbajtja e një takimi të suksesshëm në Shtëpinë e Bardhë.
“Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa për 27 qershor rrit shpresën dhe optimizmin që ky proces do të ketë sukses pasi ka mbështetjen e SHBA-së, të vetë presidentit Trump si dhe vullnetin e ambasadorit Grenell. Kosova gjithmonë ka besuar tek SHBA-në dhe ka dalë fituese”, ka thënë Thaçi, duke i dërguar kështu një mesazh jo vetëm Lajçak, por edhe Brukselit zyrtar. “Ky takim po mbahet për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky proces është për Kosovën dhe gjithë qytetarët e saj të bashkuar dhe në partneritet me SHBA-në, jam i bindur se do t’ia dalim me sukses. Kështu ka ndodhur edhe në Rambuje dhe jam i bindur se kështu do të ndodhë edhe në Uashington”, është shprehur presidenti.
Edhe Toby Vogel, ekspert britanik i politikave të Ballkanit Perëndimor thotë se takimi i 27 qershorit do të jetë më i rëndësishmi pas Rambujesë. Ai nuk përjashton mundësinë që Grenell dhe presidenti amerikan, Donald Trump t’u propozojnë liderëve të Kosovës dhe Serbisë në lloj marrëveshjeje, duke mos përjashtuar as mundësinë e këmbimit të territoreve. Kur diçka e tillë të paraqitet, ndonëse e pazbatueshme, Bashkimi Europian do ta ketë të vështirë të thotë jo, në rast se të dyja palët pajtohen”, deklaron ai.
Vogel thekson se BE-ja në vend se të fokusohet në vazhdimin e dialogut në nivel kryeministrash, po lufton kundër “hijes së rëndë” të diplomacisë amerikane.
“Grenelli ka vetëm një qëllim: të arrihet një fitore e shpejtë dhe të nënshkruhet një marrëveshje në letër, të cilën askush nuk do të dijë se si do ta zbatojë”, thotë ai.
Vogel beson që diçka e tillë do t’i mundësonte SHBA-së që të demonstrojë se si BE-ja është e pafuqishme “në oborrin e vet” dhe se SHBA-ja është një aleat domosdoshëm për ruajtjen e paqes në Europë.