Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se do të qëndrojë në krye të Parlamentit pavarësisht gjithçkaje.
“Pa asnjë dilemë do të jem këtu dhe do të luftoj deri në frymën e fundit. Por dilema nuk ka të bëjë me hallet e tua. Mirëpo secili politikan duhet ta bëjë nëse mund ti ndihmoj vendit tim duke qenë këtu apo diku tjetër? Unë që vij nga bota akademike ja bëj vetes në përfundim të çdo mandati. Ku është vendi ku mund ti ndihmoj vendit tim dhe nuk është dilemë a duhet të vazhdoj. Jam rritur në një familje që ka dhënë kontributin e saj për vendin”, tha Osmani.
Ajo theksoi më tej se nuk është penduar në asnjë moment që nuk votoi qeverinë Hoti.
“Në asnjë moment. Kjo nuk është qeveri e LDK-së. Ne kemi qenë të qartë para qytetarëve. Kemi treguar se me kë do të bëjmë koalicion e me kë nuk do të bëjmë. Kemi synuar bashkëpunim me ata që nuk kanë abuzuar me pushtetit. Asnjë nga këto nuk shihet në qeverinë që është votuar në Kuvend së fundmi”, u shpreh ajo.
Pyetjes se sa popullore është LDK ajo iu përgjigj: “Nuk bëj matje të tilla. Pyetja që i shtroj vetvetes është nëse jam duke thënë të vërtetën, a jam me përputhje me ndërgjegjen? Zakonisht kur përgjigja është po edhe mbështetja popullore vazhdon. Është tejet me rëndësi që në këto ditë të vështira të bëjmë të pamundurën për të dhënë shembullin për mbrojtjen e të vërtetës, moralit, mbajtjes së fjalës”.