MENU
klinika

Punonjësit që 'digjen'

“Zhduken” 1.5 mln listëpagesa, kujt i rrezikohet pensioni?

15.06.2020 - 10:52

Të vetëpunësuar, punonjës të bizneseve të mëdha dhe në administratën publike, ja punonjësit që “digjen” nga mungesa e derdhjes së kontributeve për periudhën 2006-2012.

Në Institutin Sigurimeve Shoqërore mungojnë mbi 1,5 milionë listëpagesa, të cilat i përkasain periudhës 2006-2012. Në fund të periudhës 12-mujore të vitit 2018 rezultojnë gjithsej 1520423 listëpagesa të munguara për harkun kohor shtatë viteve dhe nga këto 1434,979, ose rreth 94.4% janë listëpagesa të munguara të të vetëpunësuarve (biznes i vogël); 80910, ose 5,32% janë listëpagesa të munguara të biznesit të madh (firma private) dhe 4534, ose 0,3% janë listëpagesa të munguara të subjekteve publike (buxhetorë dhe jo buxhetorë).

Të dhënat janë bërë publike në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili është botuar në faqen zyrtare të këtij insitucioni. Në raportin prej 218 faqesh: “Mbi auditimin financiar dhe të përputhshmërisë të ushtruar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për aktivitetin e vitit 2018”, thuhet se janë konstatuar mungesa të konsiderueshme edhe për listëpagesat elektronike (pas janarit të vitit 2012) në shumën prej 1841174.

Madje, KLSH-ja cilëson se është vënë në dijeni zyrtarisht Dretjoria e Përgjitshme e Tatimeve (DPT)dhe po merren masat që ky informacion të kalojë në ISSH, pasi ato listëpagesa gjenden në bazën e të dhënave të DPT-së. Sipas KLSH-së, akoma kjo problematikë është në proces zgjidhjeje teknike, duke krijuar problematika në përdorimin online të kësaj baze, për caktimin e pensioneve të personave që kanë mungesa.

Drejtoritë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka specifikuar mungesat e listëpagesave sipas drejtorive dhe periudhave kohore. Sipas raportit, mësohet se vetëm në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, ku siç dihet është e përqendruar e pjesa më e madhe e biznesit, situata paraqitet me 1297715 listëpagesa të munguara gjithsej apo 85,3% të numrit të përgjithshëm të listëpagesave të munguara në shkallë vendi. Ndërkohë në 1297715 listëpagesat e munguara në Drejtorinë Rajonale Tiranë 1250380 apo 96,35% janë listëpagesa të munguara të subjekteve të biznesit të vogël.

Debite

Përvec mungesës së listëpagesave, KLSH-ja ka konstatuar se për personat e vetëpunësuar në bujqësi, debitorë në organet e sigurimeve shoqërore, shuma e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018 ka rezultuar 1,4 milairdë lekë kontributet e sigurimeve shoqërore kamatëvonesat.

Ndërkohë raporti evidenton një rritje të konsiderueshme të numrit të subjekteve debitore prej 9209 mijë subjektesh, por një rritje të detyrimeve të prapambetura me 11 miliardë lekë. “Në analizë të detyrimeve të prapambetura të subjekteve debitore, në organet tatimore, vihet re numri i lartë i subjekteve debitore dhe detyrime të mëdha, për kontribute të papaguara nga këto subjekte. Numri i tyre aktualisht është 72740 mijë subjekte debitore dhe detyrimet kontributive të prapambetura të tyre janë rreth 11,9 miliardë lekë nga 10,8 miliardë lekë që ishin deri në fund të vitit 2017.” – thuhet në raport. KLSH-ja thekson se ky fakt është një problem mjaft i madh dhe shqetësues, social dhe financiar, për organet e sigurimeve shoqërore, sepse pas subjekteve debitore dhe shumave të papaguara të kontributeve, janë një numër i konsiderueshëm personash, të punësuar në këto subjekte, të cilët nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore.

Skema

Deficiti i skemës së sigurimeve të fshatit rezulton 105299 milionë lekë dhe përbën 0,68 % të PBP-së. Në këtë skemë me deficit rezultojnë edhe përfitimet afatshkurtra. Pra, megjithëse kjo skemë shërben si një element i rëndësishëm për zbutjen e varfrisë dhe mbulimin e popullsisë së fshatit me pensione, ajo “de facto” është pothuajse totalisht e subvencionuar nga buxheti i shtetit.

Sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, 11.05.1993, tarifa e kontributeve të fshatit në vitin 2019 duhet të barazohet me tarifën e kontributeve të qytetit dhe buxheti i shtetit nuk do ta subvencionojë diferencën e kontributeve. Por edhe nëse këto kontribute të fshatit do të barazohen, referuar pjesëmarrjes aktuale të fermerëve në këtë skemë, në të cilën kanë marrë pjesë vetëm 58973 persona (kontribuues), përsëri deficiti do të jetë prezent dhe i konsiderueshëm.

Pra, sipas treguesve ekonomikë dhe financiarë të vitit 2018, skema e sigurimit të fshatit, jo vetëm që mbetet problematike për të gjithë skemën e sigurimeve shoqërore, por nuk të jep optimizëm për ecurinë e mirë të këtyre treguesve, si dhe për qëndrueshmërinë e saj financiare për vitet në vazhdim. Megjithëkëtë, nëse do të mundet të futen në këtë skemë, duke e bërë pjesëmarrëse me kontribute të plota të gjithë popullsinë aktive në fshat me mbi 120 mijë persona të vetëpunësuar në bujqësi, të evidentuar nga INSTAT, kjo skemë mund të përmirësohet ndjeshëm dhe rezultati i saj financiar do të arrijë në balancim.

Te ardhurat, shpenzimi dhe deficiti

Deficiti i degës së pensioneve të qytetit për vitin 2018 është në vlerë -16435,7 milionë lekë, nga -16087,5 milionë lekë një vit më parë, pra, këtë vit deficiti është më i madh për 348,2 milionë lekë, ose 2,2% se një vit më parë.

Deficiti i degës së pensioneve të qytetit, ndryshe nga deficiti i degës së pensioneve të fshatit, ka një rritje në vlerë absolute nga një vit më parë për 348,2 milionë lekë, ose më shume 2,2% dhe krahasuar me PBB-në e këtij viti, ka një ulje për 0,04 pikë përqindje ose 3,7 %. Rezultat i kësaj rritjeje të deficitit, krahasuar me një vit më parë, është zbatimi i të njëjtës formule të caktimit të pensionit, si për personat e vetëpunësuar në bujqësi, ashtu edhe për qytetin, pas vitit 2014.

Në këto kushte pensionet e reja për të vetëpunësuarit në bujqësi i kanë shpenzimet të evidentuara në skemën e qytetit, ndërkohë që të ardhurat janë adresuar për skemën fshat. Pra, shpenzimet gjithsej të skemës së pensioneve, për vitin 2018, rezultojnë 1033080 milionë lekë.

Këto shpenzime janë ritur këtë vit më shumë se një vit më parë për 47620 milion lekë, ose 4,8% më shumë, si rezultat i indeksimit të pensioneve nga zbatimi i VKM nr.348, datë 12.06.2018 dhe rritjes së numrit të pensioneve të reja gjatë vitit 2018. Gjthsej janë lidhur 2,337 pensione më shumë në krahasim me vitin 2017.

Në total, efektet pozitive në ritjen e të ardhurave në këtë shumë kanë dhënë: rritja e kontributeve të personave juridikë e fizikë për degën e pensioneve të qytetit me 57351 milionë lekë, apo mbi 7,7% më shumë se viti 2017; deficiti i degës së pensioneve do të ishte ulur më shumë, nëse edhe paga minimale në shkallë vendi do të rritej me trendin e indeksimit të pensioneve, e që do të rezultonte me një efekt financiar pozitiv për rreth 600 milionë lekë.

Të ndara sipas drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, situata e mungesave të listëpagesave, format letër të periudhës 2006-2012, paraqitet, sipas pasqyrës së mëposhtme: Mungesat e listëpagesave të formatit letër të subjekteve për periudhën nga vitet 2006-2012 Sipas DRSSH-ve dhe sipas grupimit të subjekteve në fund të periudhës raportuese 31.12.2018 paraqitet si më poshtë vijon:

Sektori i Inspektimit të Përfitimeve Afatgjata gjatë vitit 2018 ka përfunduar programin e kontrollit dhe si rezultat certifikimin e pensioneve në 7 DRSSH si më poshtë:

– DRSSH Berat, për periudhën 01.01.2014 – 31.12.2015, rezultojnë dosje të kontrolluara 4046, të certifikuara 3989, të rezultuara me detyrime debitore 41 dhe shuma e dëmit e konstatuar është 2203348 lekë. Dosje me detyrime kreditore rezultojnë 97 me vlerë dëmi 3663113 lekë. Mbeten pa inspektuar përfitimet e caktuara nga data 01.01.2016 – 31.12.2018 të cilave u përkasin 5659 dosje.

-DRSSH Gjirokastër për periudhën 01.01.2014 – 31.12.2015, rezultojnë dosje të kontrolluara 3096, të certifikuara 3051 dhe dosje me detyrime debitore 50, me një shumë dëmi të konstatuar prej 5594989 lekë dhe 71 dosje kreditore me vlerë dëmi 5226714 lekë. Mbeten të painspektuara përfitimet e caktuara nga data 01.01.2016 – 31.12.2018 të cilave u përkasin 4581 dosje përfitimesh.

-DRSSH Dibër për periudhën 01.01.2014 – 31.12.2015, rezultojnë se janë kontrolluar 2621 dosje, janë certifikuar 2521 dosje. Rezultojnë dosje debitore 119 dhe shuma e dëmit të konstatuar është 13278613 lekë, si dhe 47 dosje kreditore me vlerë dëmi 4019228 lekë. Mbeten të painspektuara përfitimet e caktuara nga data 01.01.2016 – 31.12.2018, të cilave u përkasin 3498 dosje.

-DRSSH Tiranë për periudhën 01.01.2015 – 31.12.2015, rezultojnë se janë kontrolluar 9271 dosje, nga të cilat janë certifikuar 8945 dosje, 55 dosje me detyrime debitore në shumën prej 1958713 lekë dhe me detyrime kreditore 246 dosje në vlerë dëmi 16143091 lekë. Mbeten të painspektuara përfitimet e caktuara nga data 01.01.2016 – 31.12.2018 të cilave u përkasin 27346 dosje.

– DRSSH Lezhë për periudhën 01.01.2015 – 31.12.2016, rezultojnë se janë kontrolluar 3578 dosje, nga të cilat janë certifikuar 3223 dosje, prej tyre 107 dosje me detyrime debitore në shumën prej 6299475 lekë dhe me detyrime kreditore 78 dosje në vlerë dëmi 4029689 lekë. Mbeten pa inspektuar përfitimet e caktuara nga data 01.01.2017- 31.12.2018 e në vazhdim të cilave u përkasin 2946 dosje.

– DRSSH Shkodër për periudhën 01.07.2014 – 31.12.2016, rezultojnë se janë kontrolluar 6907 dosje, nga të cilat janë certifikuar 6887 dosje. Rezultojnë 38 dosje me detyrime debitore në shumën prej 2095644 lekë dhe me detyrime kreditore 124 dosje në vlerë dëmi 4720282 lekë. Mbeten pa inspektuar përfitimet e caktuara nga data 01.01.2017 -31.12.2018 të cilave u përkasin 5245 dosje.

– DRSSH Korçë për periudhën 01.01.2015 – 31.12.2016, janë kontrolluar 7242 dosje nga të cilat janë certifikuar 7141 dosje, rezultojnë 85 dosje me detyrime debitore në shumën prej 4954847 lekë dhe me detyrime kreditore 171 dosje, në vlerë dëmi 6353666 lekë. Mbeten pa inspektuar përfitimet e caktuara nga data 01.01.2017 -31.12.2018 të cilave u përkasin 7096 dosje. Janë kontrolluar 7242 dosje, nga të cilat janë certifikuar 7141 dosje.