MENU
klinika

Fushata e rizgjedhjes së Trump?

Çfarë fshihet pas tensionit SHBA-Kinë?

25.07.2020 - 15:07

Mes tensioneve diplomatike në rritje, Kina ka urdhëruar Shtetet e Bashkuara të mbyllin konsullatën e tyre në Çengdu. Analistët e shohin këtë lëvizje si hakmarrje pasi Uashingtoni i kërkoi Pekinit të mbyllë konsullatën kineze në Hjustën. Ekspertët thonë se kjo reflekton një nivel të ri armiqësie mes të dy vendeve përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor.

Kina u hakmor me shpejtësi kundër Shteteve të Bashkuara duke mbyllur konsullatën amerikane në qytetin Çengdu, e cila mbulon rajonin autonom të Tibetit.

Masa erdhi pasi SHBA kërkuan që Kina të mbyllte konsullatën e saj në Hjustën. Në një fjalim të enjten Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se konsullata e Hjustonit ishte një qendër për spiunazh dhe vjedhje të pronës intelektuale duke shtuar se 40 vjet “angazhimi i verbërt” me Kinën kishte dështuar.

“Modeli i vjetër i angazhimit të verbër me Kinën thjesht nuk do të arrijë gjë. Nuk duhet ta vazhdojmë dhe nuk duhet t’i rikthehemi.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se Kina e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë e para që zhvillon një vaksinë kundër koronavirusit dhe se vendimi për të mbyllur konsullatën kineze të Hjustonit përfshinte një komponent të spiunazhit mjekësor.

Pas një numri takimesh miqësore mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit të Kinës Shi Gjinping, ekspertët thonë se mbyllja e konsullatës dhe fjalimi i sekretarit Pompeo sinjalizojnë një zhvendosje, nga angazhimi civil drejt armiqësisë së hapur.

Politika amerikane është përgjigja ndaj asaj që ka bërë Kina, e cila është një sjellje gjithnjë e më buliste, armiqësore dhe agresive ndaj fqinjëve të saj në rajon dhe ndaj vlerave dhe interesave demokratike në botë”, thotë Larry Diamond në Universitetin e Stanfordit.

Ekspertë të tjerë vërejnë se toni më i fortë ndaj Kinës përkon me fushatën e rizgjedhjes së presidentit Trump.

“Mendoj se fjalimi kishte për qëllim të provokonte një përgjigje nga Kina, në mënyrë që të intensifikonte ndjenjën politike në SHBA të armiqësisë ndaj Kinës dhe ti vinte në ndihmë fushatës zgjedhore të Presidentit Trump përpara nëntorit”, thotë Douglas Paal me Institutin Carnegie Endowment.

Me tensionet në rritje pas masave të sigurisë së Kinës ndaj Hong Kongut dhe trajtimin e saj të hershëm të shpërthimit të koronavirusit në Huan, disa ekspertë thonë se reagimi i Shteteve të Bashkuara që po ndodh tani, ishte i pashmangshëm.

“Fërkimi ishte i pashmangshëm sepse nëse do të zhvendosnim politikën dhe mendimin tonë ndaj Kinës, atëherë është e qartë se disa nga gjërat e vjetra dhe sjelljet e këndshme do të duhet të ndryshohen”, thotë Clyde Prestowitz me Intitutin për Strategji Ekonomike.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze njoftoi mbylljen e konsullatës në Çengdu dhe fajësoi Sh.B.A për gjendjen aktuale të marrëdhënieve amerikano-kineze./VOA