Në të gjitha universitet në vend janë mbajtur dje zgjedhjet për postet drejtuese. Si pasojë e pandemisë ato u mbajtën në masa të forta sigurie, me qëllim parandalimin e përhapjen së Covid-19. Dekani i Fakulteti të Drejtësisë Artan Hoxha është zgjedhur dje në krye të rektoratit të Universitetit të Tiranës me 54% te votave, ku ka marrë 348 vota nga pedagogët. Gazeta ka zbardhur tabelën e votimit në bazë fakultetesh, ku sipas së cilës rezulton se mbështetjen më të madhe Hoxha e ka marrë nga Fakulteti i Ekonomisë, ku 82 pedagogë kanë votuar për Artan Hoxhën. Sakaq nga fakulteti që ai drejtonte ka marrë 64 vota pedagogësh. Më tej në vend të tretë nga fakultet që kanë mbështetur Artan Hoxhën qëndron Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, nga i cili Hoxha ka marrë 58 vota pedagogësh. Në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë të ndryshuar në vitin 2015, vota e pedagogëve është 90% dhe e studentëve 10%, kësisoj Hoxha ka pasur një mbështetje të madhe tek stafi akademik. Por vlen të theksohet këtu edhe mbështetja që ai pati nga studentët. Edhe pse pjesëmarrja e tyre nuk ishte tepër e lartë si pasojë e Covid-19, ku vetëm 14.5% morën pjesë, në reagimet e tyre studentët u shprehën se morën pjesë vetëm për të votuar Hoxhën, pasi e shohin atë si potencial për ndryshimin e Universitetit të Tiranës. Sa i takon votimit, IFBZ ka votuar me 6 vota Hoxhën, në Sarandë ka marrë 12 vota, FSHN e ka votuar me 40 vota, FSHS me 44, Gjuhët e huaja i kanë dhënë Hoxhës 51 vota. Sakaq dy kandidatet e tjera që garonin përballë Hoxhës ishin Mimoza Hafizi e cila mori 179 vota në total, dhe Kozeta Sevrani e cila mori 117 vota pedagogësh. Duke parë rezultatet vërehet se Artan Hoxha ka fituar me një diferencë të madhe votash përballë dy kandidateve të tjera.
Rezultatet në universitet e tjera
Roland Zisi është zgjedhur rektor i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë me 119 vota. Zisi la pas Yllka Stramarkon me 63 vota dhe Shyqyri Hysin me 30 vota. Bektash Mema është zgjedhur rektor i universitetit “Eqerem Çabej” në qytetin e Gjirokastrës. Kseanela Sotirofski është zgjedhur rektore e universitetit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit. Suzana Golemi është rektorja e re e universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Nga numërimi i votave të pedagogëve ajo ka dalë fituese me 2 vota diferencë. Dhimitër Bello është rektori i ri i universitetit Fan S.Noli Korçë. Ai ka fituar 95 vota pedagogesh ndaj 54 votave të kandidatit për rektor Lorenc Ekonomi. Bello ka fituar ndaj Ekonomit në të katërt fakultetet e këtij universiteti. Ndërkohë sa i takon pjesëmarrjes në Universitetin e Tiranës, në FSHN kanë marrë pjesë nga 170 pedagogë 157, ndërsa nga rreth 7 mijë studentë kanë marrë pjesë vetëm 373. Ndërkohë në FSHS kanë marrë pjesë 66 pedagogë nga 71, pra 93% e stafit. Ndërsa nga 2566 studentë kanë marrë pjesë 117 prej tyre, pra 4.6%. Në FHF votuan 92 nga 95 pedagogë, ndërsa votuan afërsisht 197 studentë nga rreth 2500.
Reagon Hoxha
Ndërkohë pas fitores së postit të rektorit ka reaguar Artan Hoxha, i cili ka falenderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë garë, duke u shprehur se beson që universiteti dha një mesazh për të gjithë shoqërinë. “Falënderime dhe mirënjohje pafund për gjithë mbështetjen dhe vlerësimin e treguar për mua dhe platformën time në këtë proces kaq të rëndësishëm për Universitetin e Tiranës. Besoj që universiteti dha një mesazh të mirë për gjithë shoqërinë. Tregoi qytetari edhe një model mjaft të mirë të përdorimit të demokracisë së brendshme për rritjen cilësore të institucionit”, u shpreh Hoxha.