Familjarët e personave të cilët kanë vdekur si pasojë e koronavirusit po insistojnë që t’u bëhet autopsia.
Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka sqaruar se për t’u bërë autopsia të prekurve që vdesin nga koronavirusi, duhet urdhëresë nga Prokuroria.
“Për shumicën e rasteve tani familjarët po insistojnë që t’u bëhet autopsia por ka raste të cilat nuk bëhet, por ne punojmë vetëm me urdhëresë të Prokurorisë sepse rasti duhet të hapet në polici dhe në Prokurori dhe nuk bëhet autopsia me kërkesën tonë dhe nuk jemi ne ata të cilët mundemi për t’i liruar rastet”, shtoi ai.
Ndërsa sa i përket dorëzimit të raportit në Prokurori, për vdekjet e dyshimta në QKUK nga virusi, Gërxhaliu shtoi se nevojitet kohë për t’u bërë analiza specifike. Më tej ai tha se në rast nevoje për këto analiza kanë marrë masa për t’u dërguar edhe jashtë Kosovës.
“Sa i përket raportit nevojitet kohë për t’u bërë analizat specifike. Ne kemi marrë edhe masa të dyfishta në rast nevojë që të dërgohen edhe jashtë Kosovës dhe jemi duke punuar me staf esencial. Marrin kohë edhe përgatitjet laboratorike kështu që për momentin nuk janë të gatshme. I kemi vetëm ato preliminaret për të cilat edhe gojarisht kemi biseduar me prokurorë”, tha Gërxhaliu.