Mbyllet sot afati për dorëzimin e dokumenteve shtesë për fermerët e kualifikuar përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2020, në listën e përditësuar nga AZHBR, pas buxhetit të shtuar të qeverisë, në masën 400 000 000 lekë.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, në sajë të Aktit Normativ për financimin shtesë të Skemës Kombëtare ka bërë përditësimin e listës së aplikimeve të kualifikuara, së bashku me vijën e financimit, duke rritur ndjeshëm numrin e fermerëve përfitues të subvencioneve në bujqësi.
Ndërkohë që aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit që në fazën e parë, kanë pasur mundësi deri në datën 17 korrik 2020 për të dorëzuar dokumentacionin shtesë.
Buxheti i shtuar i qeverisë në masën 400 000 000 lekë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2020, i është bashkëngjitur fondit të mëparshëm prej 743 900 000 lekësh, duke shtuar ndjeshëm financimin e duke bërë përfitues një pjesë të madhe të aplikantëve që kualifikohen dhe që s’kanë mangësi në kriteret e përcaktuara më parë.
“AGROPIKAT janë në gatishmëri për dhënie informacioni të aplikantëve të cilët janë brenda vijës së financimit”, njofton AZHBR.