Me ndryshimin e vendbanimit pensionistët mund të kërkojnë edhe transferimin e dosjes së pensionit në zonën e re ku do të banojnë.
Sikundër ndodh me përfitimet e tjera të skemës, prej disa muajsh edhe aplikimi për transferimin e pensionit mund të bëhet online në portalin e-albania pa asnjë pagesë. Transferim të qendrës paguese mund të bëhet brenda rajonit dhe jashtë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.
Që nga nisja e këtij viti është thjeshtësuar edhe procedura e sigurimit të dokumenteve që duhen për të bërë transferimin e dosjes së pensionit, pjesa dërrmuese të cilave do të sigurohen nga vetë institucionet shtetërore. Konkretisht, dokumente të tilla, si: certifikata familjare, certifikata personale, kontrata e energjisë elektrike, vërtetimi për pagimin e detyrimeve, vërtetimi i likuidimit të taksave dhe tarifave vendore, si dhe vërtetim nga zyra punës, si punë kërkues për anëtarët e tjerë të familjes, do të ngarkohen në sistem nga vetë institucionet përgjegjëse. “
“Mbledhja e dokumentacionit shoqërues të mësipërm që më parë ishte detyrim të dorëzohej në zyrat e shtetit nga vetë aplikanti, tani është detyrë e nëpunësit të administratës ndaj qytetarit. Me dhënien e aprovimit, ju bini dakord që këto dokumente të sigurohen për ju nga nëpunësi i administratës”, bëjnë me dije ekspertët. Pensionistit që aplikon online për transferimin e dosjes së pensionit i kërkohet që të ngarkojë vetëm një dokument që është vërtetimi për fëmijët deri në 25 vjeç nga shkolla.
Hapat e procedurës
Për të siguruar këtë shërbim, fillimisht duhet të aplikoni në portalin e-albania në adresën ëëë.e-albania.al ku duhet të identifikoheni si qytetar. Hapi tjetër që duhet të ndiqni është që të zgjidhni shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi (pensioni)” dhe të klikoni butonin “Përdor”.
Pasi të kryeni këtë procedure do t’ju shfaqet edhe formulari përkatës të cilin duhet ta plotësoni me kujdes në çdo rubrikë të rij. Numri juaj i sigurimit plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Me informacionin e numrit tuaj të sigurimit plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa numri dhe data e protokollit do plotësohen nga punonjësit e sigurimeve shoqërore.
Në përfundim të plotësimit të formularit ju duhet të bëni dërgimin e tij për procesim në serverin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sa i takon dokumentacionit të kërkuar, ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë drejtorisë rajonale përkatëse të sigurimeve shoqërore. “Ju lutem mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj”, bëjnë me dije specialistët e sigurimeve. Sipas tyre, 30 ditë është koha e nevojshme që duhet për të marrë këtë shërbim.
Masa e pensionit të pleqërisë
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Në asnjë rast shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë
Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension. Ndërkohë që nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.
Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj. “Nëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 për qind (që del nga prodhimi i 20 muaj që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06 për qind, që është koeficienti i miratuar), është shembulli konkret që sqarojnë ekspertët e sigurimeve shoqërore rreth formulës se si llogaritet pensioni i reduktuar i pleqërisë.
Dokumentet që sigurohen nga nëpunësit e administratës:
Certifikatë familjare.
Certifikatë personale.
Kontrata e energjisë elektrike.
Vërtetim për pagimin e detyrimeve.
Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore.
Vërtetim nga zyra punës, si punë kërkues për anëtarët e tjerë të familjes.
Dokumenti që kërkohet nga aplikanti
Vërtetim për fëmijët deri në 25 vjeç që sigurohet nga shkollat apo institucionet e arsimit të lartë.