Në Parkun Kombëtar Sazan Karaburun deri në Sarandë do të instalohen 50 bova për ankorimin e mjeteve lundruese. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se ky është vetëm hapi i parë, ndërsa të tjera iniciativa dhe investime do të ketë në drejtim të zhvillimit të aktiviteteve detare turistike. Ai tha se synohet një pikë parkimi rajonal për gjithë zonën e bregdetit.
“Në zbatim të politikave për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Sazan Karaburunit, për të garantuar një zhvillim të gjithë ekonomisë së biznesit të turizmit detar, për gjithë zonën e Rivierës shqiptare do të hedhim sot 50 bova të reja të cilat janë një investim i qeverisë shqiptare në kuadër të hapjes së kësaj pjese të detit shqiptar për t’u ankoruar më shumë mjete të kënaqësisë dhe për të patur mundësinë që bukuritë e pamata të këtyre plazheve të virgjëra të Karaburunit dhe pastaj të gjithë zonës së Rivierës, të vizitohen nga më shumë jahte e mjete kënaqësie që lundrojnë në këtë zonë edhe pse jo të zhvillojmë në këtë zonë një pikë parkimi rajonal për gjithë zonën e bregdetit”, tha Ministri i Turizmit dhe Mjedisit.
Duke u ndaluar tek ligji për heqjen e TVSH-së për Jahtet, Klosi tha se do të bëjnë që flamuri shqiptar, të njihet gjerësisht si dhe shumë jahte të gjejnë vend parkimet e tyre në vendin tonë.
“Është një nga politikat e mëdha të Ministrisë së Turizmit, zgjerimi i turizmit detar, ringritja e një industrie të re në det dhe jo për të qenë vetëm pjesë e kënaqësisë do të jetë një industri e re për bashkinë e Vlorës për gjithë bashkitë bregdetare për të pasur më shumë mundësi, më shumë të ardhura të turizmit elitar dhe natyrisht më shumë turistë që vizitojnë Shqipërinë”, theksoi Ministri Klosi.