Pas thuajse 5 muaj, është rikthyer magjia e kampionatit më të bukur në botë të basketbollit NBA, e cila do të luajë në vijim ndeshje çdo ditë. Në “Walt Disney World Resort” të Orlandos u luajtën dy ndeshjet e para.
Mes emocionesh të forta Los Angeles Lakers mposhtën Clippers, ndërsa Utah Jazz fitoi ndaj New Orleans Pelicans. Sfida që kishte tërhequr më shumë vëmendjen ishte ajo mes dy skuadrave kaliforniane, me Lakers që triumfuan edhe në përplasjen e dytë sezonale me rezultatin e ngushtë 103-101.
Gjithçka u vendos në frymën e fundit, me Lakers që fituan me vetëm dy pikë diferencë, falë dyshes LeBron James-Anthony Davis. Ish-i i Pelicans ishte protagonsit absolut i mbrëmjes dhe këtë e tregojnë statistikat e tij: 34 pikë, 8 “rebound” dhe 4 asiste.
Ndërkohë “mbreti” James (16 pikë në total), u gjend në vështirësi në tri periodat e para, por u shfaq vendimar në finale, si në sulm (realizoi 4 pikë shumë të rëndësishme) dhe në mbrojtje (ndali sulmin final të Clippers).
Skuadrës së drejtuar nga Doc Rivers, së cilës i mungonin Lou Williams dhe Montrezl Harrell, nuk i mjaftuan paraqitjet e Kawhi Leonard dhe Paul George, që shënuan respektivisht 28 dhe 30 pikë.
Ndeshja që shënoi zyrtarisht rinisjen e NBA-së u zhvillua mes New Orleans Pelicans dhe Utah Jazz, me këta të fundit që toi me vështirësi 106-104. Ironi e fatit që suksesin skuadrës nga Salt Lake City ia dhuroi Rudy Gobert, basketbollisti i parë i NBA-së që rezultoi pozitiv me COVD-19.