MENU
klinika

"Brenda tre muajve u përhap në çdo kontinent"

Misteret e koronavirusit dhe dilemat e shkencës

23.07.2020 - 18:49

Një nga misteret më të mëdha që lidhen me koronavirusin është shpejtësia me të cilën ai u përhap në të gjithë botën.

Filloi në Kinën qendrore dhe brenda tre muajve, u përhap në çdo kontinent, përveç Antarktidës, duke u prishur jetën e përditshme miliona njerëzve. Prapa përhapjes së shpejtë, kishte një fakt që i kapi shkencëtarët në befasi, shqetësoi autoritetet shëndetësore dhe minoi përpjekjet e hershme të kontrollit: virusi mund të përhapej nga njerëz të shëndetshëm.

Ndërsa punonjësit po kthehen nëpër zyra, fëmijët përgatiten të rifillojnë shkollën dhe njerëzit e dëshpëruar për normalitet kanë nisur të vizitojnë qendrat tregtare dhe restorantet, të dhënat e reja shkencore flasin për një realitet kërcënues: Nëse sëmundja mund të transmetohet nga njerëz të shëndetshëm, atëherë ndoshta ajo do të jetë e pamundur të frenohet.

“Mund të jetë vdekjeprurëse, e megjithatë 40 përqind e njerëzve mund të mos e dinë që e kanë,” thotë Dr. Eric Topol, drejtues i Institutit Kërkimor Scripps.

Studiuesit flasin për mundësinë e frikshme të përhapjes së heshtur të virusit nga bartës pa simptoma ose me simptoma të dobëta. Por se çfarë roli luajnë njerëzit e shëndetshëm në shtimin e radhëve të të infektuarve, kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe është në krye të axhendës së kërkimit shkencor.

Koronavirusi i vogël por i fuqishëm mund të depërtojë në një qelizë njerëzore, të stabilizohet aty dhe të shumëzohet në dhjetëra mijëra brenda një dite të vetme. Nivelet e virusit rriten përpara kollitjes së parë. Dhe për habinë e shkencëtarëve, rreth 4 në 10 persona të infektuar nuk kanë fare simptoma.

Pabesia e këtij virusi është në fokusin e shumë shkencëtarëve tani që shoqëritë po rihapen. Ata pyesin veten se çfarë ndodh nëse përhapësit e heshtur nuk zbulohen para se të jetë tepër vonë.

Udhëtarët pa kollë mund të kalojnë lehtë nëpër kontrollet e aeroporteve. Punëtorët pa ethe nuk zbulohen dot nga kontrollet e temperaturës. Njerëzit që nuk ndjehen të lodhur apo që nuk kanë dhembje, marrin pjesë në takimet e biznesit, duke infektuar të tjerët.

Dhe shpërthimet mund të rifillojnë.

Shenjat e para

Qysh në janar, kishte shenja që njerëzit mund ta bartnin virusin pa shfaqur simptoma. Megjithatë, shumë shkencëtarë nuk bindeshin.

Koncepti që njerëzit pa dashje mund ta përhapin sëmundjen asnjëherë nuk ka qenë i lehtë për t’u kuptuar, duke filluar nga epidemia e poliomielitit në Amerikën e gjysmës së shekullit të 20 e deri tek përhapja e HIV-it dekada më vonë.

Kur u shfaq COVID-19a, zyrtarët shëndetësorë mendonin se ky do të ishte si koronavirusët e tjerë dhe se njerëzit i infektonin më lehtë të tjerët kur shfaqnin simptoma si kollë apo ethe.

“Ne mendonim se kjo do të ishte si SARS-i: një periudhë e gjatë inkubacioni dhe asnjë transmetim gjatë periudhës së inkubacionit,” thotë Lauren Ancel Meyers, e Universitetit të Teksasit në Austin.

Në prapaskenë, shkencëtarë si Meyers diskutonin të alarmuar me zyrtarët e shëndetësisë mbi faktet që kishin gjetur për sëmundjen. Duke qëmtuar me kujdes faqet e internetit të departamenteve kineze të shëndetësisë, Meyers dhe ekipi i saj gjetën më shumë se 50 raste midis 21 janarit dhe 8 shkurtit, në të cilat personi që sillte virusin në shtëpi nuk shfaqte simptoma para se të kishte infektuar të paktën një anëtar të familjes.

“Kur pamë të dhënat, thamë: “Jo, kjo nuk mund të jetë e vërtetë,” u shpreh Meyers. “Ishte tronditëse”.

Koronavirusi në anijen turistike

Rebecca Frasure, e cila e mori virusin kur ishte duke lundruar në anijen turistike Diamond Princess, u vendos në gjendje shtrati në Japoni nga fundi i shkurtit, e mërzitur që po mbahej në spital edhe pse nuk kishte asnjë simptomë.

“Jam krejtësisht e shëndetshme përveç faktit që kam virusin në trup”, tha Rebecca.

Pa testime të gjera dhe të shpeshta, është e pamundur të dish se sa njerëz pa simptoma mund ta bartin virusin. Anija Diamond Princess, e cila po qëndronte në Portin e Jokohamës kur në bord shpërtheu virusi, i joshi mjaft studiuesit.

Një model matematik i ndërtuar nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër që synonte të vlerësonte se sa njerëz ishin të infektuar por pa simptoma, tregonte se tre të katërtat e njerëzve të infektuar në anijen turistike ishin pa simptoma.

Në shtetin Uashington, doktor Jeff Duchin nxori të dhëna të ngjashme kur një ekip ekspertësh ekzaminuan një shtëpi të moshuarish dhe konstatuan se punonjësit e kujdesit shëndetësor po e përhapnin virusin në institucionet e tjera të kujdesit për të moshuarit.

Në muajin mars, më shumë se gjysma e personave në një shtëpi tjetër të moshuarish që testuan pozitivë nuk kishin simptoma.

E gjithë kjo nënvizoi nevojën për të ndryshuar strategji dhe për të pranuar se virusi nuk mund të ndalej dot plotësisht.

Dr. Duchin kujton se pas kësaj i tha vetes: “Kjo sëmundje do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u kontrolluar.”

Pyetje pa përgjigje

Hunda dhe goja janë pjesët më të lehta për hyrjen e koronavirusit në trup. Pasi hyn, virusi merr në dorë mekanizmin e qelizës për të kopjuar veten dhe i heq trupit sistemin imunitar për t’u mbrojtur. Nivelet e virusit rriten mjaft në rrugët e sipërme ajrore, e gjithë kjo pa simptoma. Shumë shkencëtarë besojnë se, gjatë këtyre ditëve, njerëzit mund ta përhapin virusin thjesht duke folur, duke marrë frymë ose duke prekur sipërfaqet e ndryshme.

Tek njerëzit që vërtet nuk shfaqin simptoma, sistemi imunitar e fiton betejën përpara se ata të ndjehen të sëmurë.

Kur filloi të bëhej më e qartë se virusi mund të përhapej nga njerëzit e shëndetshëm, autoritetet shëndetësore të SHBA vendosën të mos prisnin për të dhëna të reja shkencore. Në fillim të prillit, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u rekomanduan njerëzve të mbanin maska.

Disa ditë më vonë, hulumtuesit kinezë publikuan një studim ku thuhej se pacientët kanë veti më të mëdha infektimi dy deri në tre ditë para se të shfaqnin vetë simptoma. Provat vazhdojnë të shtohen dhe Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tani vlerësojnë se 40% e transmetimit ndodh përpara se njerëzit të ndjehen të sëmurë.

Megjithatë, midis shkencëtarëve, veçanërisht tek Organizata Botërore e Shëndetësisë ende ka dyshime. Kjo organizatë e ka ulur rëndësinë e infeksionit nga njerëz pa simptoma, megjithëse kohët e fundit filloi ta pranojë një mundësi të tillë dhe i ka këshilluar njerëzit të mbajnë maska.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë fajësojnë Kinën për vonesën në shpërndarjen e informacionit rreth përhapjes së heshtur të virusit. Por Dr. Topol thotë se SHBA mund të kishte organizuar programin e vet të testimit duke bërë sekuencën gjenetike të virusit.

Nuk është gjë e vogël: Arritja qysh herët e qartësisë shkencore për përhapjen e virusit do të kishte shpëtuar jetë njerëzish.

“Ne në Amerikë u treguam të ngadaltë në gjithçka,” thotë Dr. Topol. “Më duhet të them se është e turpshme.”/ VOA

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!

Këlliçi: Institucioni i Policisë, më i keqtrajtuari!

Efektivi humb ndjenjat gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës