MENU
klinika

Klubet shqiptare, jo profesioniste

Pas Partizanit, edhe Kukësit i bllokohet merkatoja

31.07.2020 - 13:02

Klubet shqiptare tregohen amatore në merkato, në dokumentacionin që përcillet, por sidomos ku ndërpresin marrdhëniet. Ndër vite shumë klube e kanë pësuar, qoftë me gjoba, qoftë me heqje pikësh nga penalizimi për lojtarët e huaj.

Por edhe në vitin 2020 klubet tona nuk zënë mend dhe kur bëhet fjalë për Partizanin dhe Kukësin, dy nga klubet gjoja model, imagjinoni cfarë ndodh në klubet e tjera apo të Kategorisë së Parë.

Pas Partizanit, edhe Kukësit i është bllokuar merkatoja. Shkak është bërë një gjyq i humbur në FIFA, situatë që mund të vazhdojë për tre ditare të njëpasnjëshme merkatoje nëse nuk shlyen detyrimet ndaj ish-futbollistit Filip Zderiç.

Ky i fundit hodhi në gjyq një vit më parë klubin shqiptar për mospagesën e dy rrogave të fundit të sezonit, maj-qershor 2018, për një vlerë në total prej 8 mijë eurosh që klubi ia kishte mbajtur duke akuzuar lojtarin se nuk ishte paraqitur në fazë përgatitore dhe e kishte gjobitur.

Zderiç provoi para FIFA-s se në fakt klubi e kishte dërguar te skuadra e dytë, duke mos e marrë me vete në fazën përgatitore, ndërsa nuk kishte marrë asnjë lajmërim për gjobën e as nuk ishte në dijeni që kishte shkelur rregulloren.

Paneli i FIFA-s gjykoi se Kukësi kishte thyer kushtet e kontratës e si rrjedhojë, përveç rrogave të prapambetura, në vendimin e datës 30 janar, Zderiç përfitoi edhe një dëmshpërblim prej rreth 44 mijë eurosh plus kamatë vonesën, për prishje të kushteve të kontratës nga klubi.

Kukësi nuk ka bërë pagesën e detyrimit ndaj Zderiç, pasi po negocion që të gjejë një akord me lojtarin për të mos paguar të gjithë shumën. Kjo do të thotë se për momentin, merkato e verilindorëve është zyrtarisht e bllokuar.

Klubi verilindor ka reaguar zyrtarisht dhe shprehet se çështjen e ka dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe drejtuesit janë të bindur se e drejta do anojë në krahun e tyre.

DEKLARATA ZYRTARE E KUKËSIT

Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin sportiv në lidhje me një vendim të dhënë nga FIFA në muajin janar, ku është bllokuar merkatoja jonë për shkak të një ankimimi të ish-futbollistit tonë Filip Zderiç.

Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në CAS dhe është pikërisht kjo gjykatë, ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Klubi ju siguron se mga kjo çështje, do të dalim të fituar sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë.

Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe).

Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqiperia e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në CAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN