Është një nga futbollistët shqiptarë të momentit në Europë. Ndër më të lakuarit e merkatos jo vetëm në Bundesliga, por edhe në Premier League dhe Serie A. Megjithatë, Milot Rashica i kthehet përsëri vendimit që ka marrë katër vite më parë kur la përfaqësuesen shqiptare për t’iu bashkuar asaj të Kosovës.
Në një intervistë në “Ora News” ai deklaroi se ai ishte një prej vendimeve më të mira që kishte marrë: “Vendimi për t’iu bashkuar Kosovës nuk ka qenë një vendim kundër Shqipërisë. Ka qenë një vendim për të ndihmuar Kosovën pasi ka qenë në hapat e parë të saj të formimit dhe ka pasur një nevojë të madhe.
Unë jam lindur dhe jam rritur në Kosovë dhe në njëfarë mënyre ia kam pasur borxh asaj për të luajtur për të. Nëse nuk do të kthehesha unë aty, kush do ta bënte. Është një prej vendimeve më të mira që unë kam marrë deri më tani në karrierën time dhe shpresoj të vazhdojë e tillë.
Kemi përpara dy ndeshje tepër të rëndësishme. Në kombëtare ne kemi kualitet dhe jemi një grup shumë i mirë. Kalojmë shumë mirë me njëri-tjetrin, si në fushë, ashtu dhe jashtë saj. Gjithashtu, kemi tifozë që na mbështesin dhe pse jo duam ta bëjmë ëndrrën realitet”.