Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e dialogut.
Lajçak në një përgjigje drejtuar Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, të drejtuar nga Edita Tahiri dhe në përbërje të Këshillit drejtues, ka thënë se ajo çfarë po kërkojnë është një marrëveshje që do të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe normalizojë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës
“Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë së integruari një dimension gjinor në përpjekjet tona për t’iu ndihmuar Beogradit dhe Prishtinës të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme dhe ligjërisht detyruese që i rregullon të gjitha çështjet e jashtëzakonshme mes tyre. Siç e kam cekur në shumë raste, shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë për diskutim. Ajo që po kërkojmë është një marrëveshje që do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, normalizojë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe do t’iu ndihmojë të ecin përpara në rrugët e tyre respektive evropiane”, ka thënë Lajçak.
Më poshtë, letra e plotë e Miroslav Lajçak drejtuar LRGEJL:
“Ju faleminderit për letrën tuaj në lidhje me rolin kyç që gratë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në ndërtimin e paqes, veçanërisht në kontekstin e Dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
Bashkimi Evropian (BE) është i përkushtuar të zbatojë dhe të nxisë nisma, politika dhe programe në përputhje me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNSCR). Siç e dini, kjo Rezolutë i identifikon gratë në një shkallë të lartë si aktere të domosdoshme në ndërtim të paqes dhe ndërmjetësim në konflikte dhe bën thirrje për përfshirjen e tyre të shtuar në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
Mandati im si Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e ka fuqizuar bindjen time se barazia gjinore dhe përfshirja e grave në të gjitha fazat e ndërtimit të paqes janë kritike për të arritur paqe të qëndrueshme. Isha i lumtur që kisha mundësinë ta theksoj edhe një herë rolin e grave në proceset e paqes gjatë Kryesimit të Sllovakisë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) në 2019. Një nga arritjet e mia kryesore si Kryesues i OSCE-së ishte lansimi i udhëzuesit për përfshirjen e grave dhe proceset efektive të paqes në Këshillin Ministror në Bratisllavë.
Falë grave si ju dhe dy Përfaqësueseve të Larta/Nënkryetareve të BE-së ne kemi pasur mundësi të arrijmë progres domethënës në dhjetëra fusha të Dialogut. Shumë gra të tjera kanë kontribuar në këtë përpjekje përgjatë viteve, duke përfshirë negociatoret e larta për BE-në, Prishtinën dhe Beogradin. Pres me padurim kontributin që do të vazhdojnë ta japin gratë në këtë proces.