“Moderna Inc.” njoftoi mbrëmë se vaksina e saj eksperimentale kundër koronavirusi krijon imunitet te të moshuarit, njësoj si te vullnetarët e rinj, duke ofruar shpresë që ajo do të jetë efektive dhe tek njerëzit që ishin më të rrezikuar nga komplikacionet që shkakton Covid-19.
Kompania është një ndër kryesueset në garën për zhvillimin e vaksinës kundër virusit që deri në këto momente ka shkaktuar mbi 820 mijë viktima në të gjithë botën. Vaksina kandidate mRNA-1273 është në fazën e fundit të testimit te njerëzit.
Të dhënat e fundit nga një studim i Fazës I përfshin një analizë nga 20 persona që tregojnë se si vaksina ka reaguar tek më të vjetrit. Analiza shqyrtoi subjektet të cilëve iu ishte dhënë një dozë 100 mikrogramë në testimin më të gjerë të Fazës III.
Moderna tha se përgjigjet imune në personat e moshës midis 56 dhe 70 vjeç dhe mbi moshën 70 dhe ato nga 18 deri 55-vjeç ishin të ngjashme.
Zyrtarët shëndetësorë kanë qenë të shqetësuar nëse vaksinat kandidate do të funksiononin te të moshuarit, sistemi imunitar i të cilëve zakonisht nuk përgjigjet fuqishëm atyre.