MENU
klinika

Takimi i radhës

BE: Më 27 gusht vazhdon dialogu Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh

25.08.2020 - 13:13

Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar të martën për Radion Evropa e Lirë se më datën 27 gusht në Bruksel do të zhvillohet një takim i radhës në nivel ekspertësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimin Evropian.

Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ka konfirmuar zhvillimin e këtij takimi të enjten, por pa dhënë hollësi tjera.

“Dialogu i rifilluar në nivelin më të lartë në muajn korrik vazhdon me një varg takimesh në nivel ekspertësh si pjesë e procesit në vazhdim e sipër. Ne mund të konfirmojmë se takimi i radhës do të zhvillohet me 27 gusht. Si rregull ne nuk bëjmë komente për diskutimet që janë në vazhdim e sipër”, ka thënë ajo.

Burimet diplomatike në BE kanë paralajmëruar se në fillim të shtatorit do të mund të zhvillohet edhe një round i takimit në nivelin e lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Bruksel deri më tani është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Sipas të njëjtave burime nga vjeshta pritet një rritje e dinamikës së procesit të dialogut dhe synohet që takime të liderëve të ketë dy herë në muaj, ndërsa takimet e ekspertëve të zhvillohen çdo javë. Përveç gatishmërisë së palëve, kjo gjë varet edhe nga situata e krijuar me masat për luftë kundër pandemisë me koronavirus, për shkak të së cilave ka kufizime edhe në udhëtime dhe në numrin e takimeve me prani fizike në objektet e institucioneve të BE-së.

Siç dihet tanimë, më 4 shtator liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington. Diplomatët në Bruksel vazhdojnë të insistojnë se sa i përket normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë i vetmi dialog është ai i cili zhvillohet në Bruksel dhe se për këtë BE-ja ka marrë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Kur është në pyetje përfshirja e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të pajohen për një normalizim gjithpërfshirës të raporteve të tyre, ne mirëpresim nismat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim ne kemi marrë në dijeni njoftimin e ambasadorit Grenell”, kanë thënë nga BE-ja kur janë pyetur rreth takimit në Uashington.

Dialogun në Bruksel palët vazhdojnë ta interpretojnë ndryshe. Delegacioni i Kosovës ka insistuar se këto nuk janë takime teknike por diskutime politike për draftimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila duhet të përmbyllet me njohjen reciproke.

Në të njëjtën kohë delegacioni i Serbisë i ka quajtur si të pavërteta pohimet se po diskutohet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar që të zbatohen disa marrëveshja të arritura më herët në dialog, sidomos ajo për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Bashkimi Evropian vazhdon të jetë shumë i mbyllur sa i përket përmbajtjes së dialogut duke përsëritur në vazhdimësi vetëm se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese, e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

Delegacionin e Kosovës në takimin e radhës në Bruksel pritet ta drejtojë koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi me 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat