MENU
klinika

"Kryetari i OSBE-së kërkon ndërhyrjen në vend"

BILD: Presioni ndaj diktatorit bjellorus do të rritet!

23.08.2020 - 16:51

“Presion i ri politik mbi diktatorin bjellorus Aleksandër Lukashenko për të rënë dakord për një mision diplomatik” kështu e nis artikullin gazeta prestigjoze gjermane BILD, kushtuar situatës politike të krijuar në Bjellorusi pas zgjedhjeve të fundit që u cilësuan nga BE dhe SHBA si të parregullta dhe jo të drejta.

Në një letër të përbashkët nga Ministri i Jashtëm Suedez Ann Linde (kryetari i ardhshëm OSBE) dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama (aktualisht kryetari i OSBE), të dy politikanët u ofrojnë politikbërësve bjellorusë një ofertë për të ndërmjetësuar menjëherë bisedimet mes tyre për të gjetur një zgjidhje.

Letra (e disponueshme nga BILD) për Lukashenkon thotë që Rama dhe Linde do të ishin të gatshëm të ndërmjetësojnë menjëherë në vendin e tyre takime dhe të “dëgjojnë” të gjitha palët dhe të “diskutojnë sfidat aktuale” që ka Bjellorusia.

“Bjellorusia është një shtet i rëndësishëm pjesëmarrës i organizatës sonë dhe jemi të gatshëm ta zgjerojmë mbështetjen për të”, thuhet në letër.

Sipas BILD, Lukashenko deri më tani ka hedhur poshtë mundësinë e një mision të OSBE-së të mbështetur nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin. Në vend të kësaj, ai ka sjellë “ekspertë” rusë në vend për të nxitur aparatet e tij të propagandës dhe të marrë këshilla për pretendimin e tij për fuqi totale në këtë krizë më të vështirë që po kalon Bjellorusia.

Që në 17 gusht , OSBE ofroi të vinte në Bjellorusi “për t’u takuar me përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës”. Pas hezitimit të regjimit Bjellorusi për propozimin, kryetarët e OSBE-së tani me sa duket po bëjnë fushatë për një përpjekje të re.

Në mes të situatës jashtëzakonisht të tensionuar në Bjellorusi, thuhet se do të ketë protesta të reja masive kundër kreut të shtetit Aleksandër Lukashenko, i cili e vuri ushtrinë në gatishmëri të Shtunën. Udhëheqësi i opozitës Svetlana Tichanovskaya u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj në një intervistë që “tani të vazhdoni të bashkuar në luftën për drejtësi”.

Lukashenko vizitoi një bazë ushtarake në Grodno në perëndim të vendit afër kufirit me Poloninë të Shtunën. Ai ritheksoi pretendimet e tij se protestat kundër tij ishin kontrolluar “nga jashtë”.

“Unë udhëzoj Ministrinë e Mbrojtjes të marrë masat më të rrepta për të mbrojtur integritetin territorial të vendit tonë,” tha kreu i shtetit, sipas zyrës së tij të shtypit.

Trupat e NATO-s në Poloni dhe Lituani janë vënë “seriozisht në lëvizje” përgjatë kufirit me Bjellorusinë, tha Lukashenko. Prandaj ai e ka vënë në gatishmëri tërë ushtrinë në vendin e tij.

Ky informacion u hodh poshtë nga NATO si “i pabazuar”.

“Siç e kemi sqaruar tashmë, NATO nuk paraqet kërcënim për Bjellorusinë ose ndonjë vend tjetër,” tha zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu në Bruksel të Shtunën në mbrëmje. Nuk ka “përforcim ushtarak në rajon”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN