Familja e Alexei Navalny mund të presin që gjermanët të shpëtojnë jetën e liderit të opozitës ruse. Por nëse ata po presin drejtësi, ata kanë ardhur në vendin e gabuar.
Ndërsa Navalny ishte në gjendje kome në spitalin Charité të Berlinit të Premten, Angela Merkel duket se reflektoi për strategjinë e saj ndaj Rusisë ndër vite.
“Unë nuk mendoj se kemi nevojë të ndryshojmë politikën për Rusinë,” tha udhëheqësja gjermane. “Kjo është diçka që ne e shohim si një linjë të vazhdueshme.”
Kritikët e kancelares thonë se vazhdimësia është pikërisht problemi.
Përballë agresioneve të panumërta ruse në vitet e fundit, nga aneksimi i Krimesë deri tek vrasja e një rebeli Çeçen në mes të ditës në Berlinin qendror, Merkel ka theksuar herë pas here rëndësinë e përfshirjes së Vladimir Putinit në “dialog”. Ajo e përsëriti këtë gjatë konferencës së saj për shtyp të premten. “Ne duhet të vazhdojmë të flasim me Rusinë,” këmbënguli ajo.
Partnerët e saj amerikanë dhe të shumtë evropianë mund të jenë më pak të irrituar.
Ata thonë se thirrja gjermane për “dialog” është pjesërisht një eufemizëm për angazhimin komercial, më kryesorja projekti i tubacionit të gazit Baltik i njohur si Nord Stream 2. SHBA dhe shumë vende evropiane kundërshtojnë ndërtimin e gazsjellësit.
I pyetur nëse çështja Navalny mund të ishte shkak për pezullimin e Nord Stream 2, i cili është afër përfundimit, por është dëmtuar nga sanksionet amerikane, Merkel hezitoi për tu përgjigjur.
Rrethanat që lidhen me helmimin e dyshuar të Navalny duhet të hetohen plotësisht dhe të zbulohen, tha Merkel. Por çështja Navalny “duhet të ndahet” nga diskutimi Nord Stream 2, argumentoi ajo.
Dhe qëndrimi i saj për tubacionin, të cilin ajo e karakterizon si “projekt biznesi”, nuk ka ndryshuar. “Nord Stream 2 duhet të përfundojë,” tha Merkel.
Qëndrimi i Berlinit ndaj projektit dhe Rusisë në përgjithësi, prek shumë nga partnerët e saj, veçanërisht vendet balltike, të cilat mbeten të prekshme nga agresioni i Moskës.
“Është e pamundur të ndash çështjet ekonomike nga çështjet politike kur merresh me Rusinë,” tha Ministri i Jashtëm i Letonisë Edgars Rinkēvičs për POLITICO.
Në të vërtetë, ka mjaftueshëm prova që sugjerojnë se strategjia e Gjermanisë ndaj Rusisë thjesht e inkurajon atë të vazhdojë me sjelljet e saj.
Ajo shqetëson gjithashtu vendet e tjera të rajonit, veçanërisht Evropën Qendrore dhe Lindore, të cilave historia i ka mësuar të jenë të kujdesshëm nga bashkëpunimi gjermano-rus.
Politika aktuale e Gjermanisë ndaj Rusisë është e rrënjosur në strategjinë e epokës së Luftës së Ftohtë e njohur si Ostpolitikë. Ndjekur për herë të parë nga Kancelari Willy Brandt në vitet 1970, Ostpolitika u përpoq të angazhonte Bashkimin Sovjetik përmes shkëmbimit tregtar dhe kulturor, një strategji që shumë gjermanë besojnë se ndihmoi në përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe hapjen e rrugës për ribashkimin gjerman.
Por shumë të huaj shqetësohen se gjermanët janë mbërthyer në të kaluarën.
Daniel S. Hamilton, një ish-diplomat amerikan që kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij tij duke punuar në Gjermani tha “Pas ndërhyrjes në Ukrainë, unë mendoj se gjendja shpirtërore evropiane është shumë e ndryshme. Por projekti gjerman vazhdon, dhe mendoj se nuk është menduar fare për të.”
Paul Dallison është Redaktor i Lajmeve në politico.eu
Përkthyer dhe përshtatur nga politico.eu/ Konica.al