Aktiviteti i biznesit në Eurozonë është rikthyer në rritje modeste gjatë Korrikut, ndërkohë që një pjesë e masave të karantinës së koronavirusit janë hequr. Megjithatë, rimëkëmbja në industrinë gjigante të shërbimeve në rajoni, nuk ishte aq e madhe se sa pritej. Më shumë se 18 milionë njerëz janë diagnostikuar me virus në të gjithë botën, por ndërkohë që u shfaqën shenja të kontrollit në pjesën më të madhe të Europës, qeveritë lejuan rihapjen e bizneseve.
Ekonomia e Eurozonës u tkurr me një nivel rekord prej 12.1% në tremujorin e dytë, sipas të dhënave të Eurostat. Analistët presin një rritje me 8.1% këtë tremujor, ndërkohë që bizneset kanë nisur të rikthehen në normalitet. Indeksi PMI, që shihet si një tregues i mirë i shëndetit ekonomik, u rrit në 54.9 në Korrik, nga 48.5 në Qershor.
Indeksi ka qenë poshtë nivelit të 50 pikëve për 4 muaj, nivel që ndan tkurrjen nga ekspansioni. Analistët thonë se aktiviteti në sektorin e shërbimeve në Korrik është rritur me normën më të madhe në 2 vite. Franca dhe Gjermania kanë pasur rritje të mëdha, ndërkohë që është regjistruar përmirësim edhe në Spanjë dhe Itali. Në total, kërkesa është rritur dhe optimizmi është përmirësuar, por firmat kanë vazhduar të reduktojnë stafin, ç’ka përbën shqetësim për politikëbërësit.