Inter humbi në finale të Europa League dhe menjëherë kanë nisur diskutimet për të ardhmen, që nga lojtarët, deri te trajneri Antonio Conte. Në prononcimin që ka dhënë pas ndeshjes, Conte ka pohuar:
“Ishte një ndeshje e vështirë dhe e balancuar dhe një episod e vendosi. Këta djem kanë punuar shumë, janë rritur dhe janë përmirësuar. Shkuan në finalen e Europa League dhe për shumë prej tyre ishte eksperienca e parë në Europë.
Të paktën një pjesë e lojtarëve fituan përvojë në Europë. Kjo është e rëndësishme për të shkuar përpara dhe për vetëbesimin e tyre. Unë kam një familje dhe normalisht që duhet që të jemë edhe afër asaj dhe t’i përkushtohem.
Ka qenë e mrekullueshme të jem trajner i Interit dhe i falënderoj pronarët që më dhanë mundësinë të kaloj këtë përvojë fantastike. Nëse mund të them një gjë, është se ia ka vlejtur dhe i falënderoj ata që ma dhanë mundësinë e kësaj eksperience.
Është thjesht çështje këndvështrimi, për disa situata me të cilat jam përballur dhe nuk më kanë pëlqyer. E them këtë me gjithë respektin që kam për të gjithë. Unë kam një familje dhe më duhet të kuptoj nëse futbolli apo familja janë prioriteti im.”
Tek Inter rikthehet në skenë emri i Masimiliano Alegrit. Ky i fundit ka qenë shpesh pjesë e panoramës zikaltër, sidomos pas shpërthimit të Kontes, pas ndeshjes me Atalantën, në kampionat.
Por nga dje më shumë se kurrë, ish-trajneri tjetër i Juventusit rikthehet në realitetin zikaltër, i cili në rast konfirmimi të largimit të “Gjeneralit”, me shumë mundësi do të pranojë ofertën e Marotta-s dhe do të ulet në stolin milanez.