MENU
klinika

Rishikimet e fundit

COVID-i ndryshoi buxhetin, fondet i merr infrastruktura!

06.08.2020 - 17:09

Shkaku ishte pandemia për rishikimet e buxhetit, por fondet shkuan për infrastrukturën. Nga ndryshimet e fundit të buxhetit janë rreth 12.3 miliardë lekë që shkojnë për sektorin infrastrukturor, ndërtime dhe rehabilitime rrugësh.

Që nga buxheti fillestar që u miratua në muajin dhjetor të vitit të kaluar e deri në rishikimin e fundit shpenzimet janë rritur me 16.3 miliardë lekë. Tashmë totali i shpenzimeve për institucionet janë 333.3 miliardë lekë nga 317 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar.

Referuar të dhënave të kalkuluara të buxhetit dhe të shpenzimeve duke i krahasuar me aktin e fundit normativ vërehet se janë më shumë se 9 miliardë lekë që i janë shtuar Ministrisë së Financave. Pjesa më e madhe e fondeve është shtuar në zërin e sigurimeve shëndetësore për punonjësit që kanë humbur punën nga pandemia, ku konkretisht nga fillimi i vitit deri më tani është rritur me 7,264 miliardë lekë më shumë.

Më pas institucioni i dytë më i financuar është Ministria e Infrastrukturës, ku shpenzimet e saj për këtë vit janë aktualisht 45.1 miliardë lekë, duke iu rritur me 4.3 miliardë lekë më shumë se në draftin e parë. Infrastruktura rrugore pritet të marrë më shumë fonde nga buxheti pasi në zërin e saj me rishikimin e ri janë shtuar mbi 6 miliardë lekë, ndërkohë që i janë ulur zërave të tjerë, si administrimi menaxhimi i projekteve apo edhe tek transporti hekurudhor. Vetëm për transportin rrugor fondi është 28.647 miliardë lekë, ose më shumë se 55% e buxhetit total të institucionit.

Ndërsa jemi në pandemi institucioni që ka marrë më pak para është Ministria e Shëndetësisë me vetëm 2.4 miliardë lekë. Në total buxhet i kësaj ministrie është 65.3 miliardë lekë nga 62.9 që e kishte në draftin e dhjetorit.

Si pasojë e pandemisë Ministria e Financave ka rishikuar në ulje të ardhurat me -63.1 miliardë ku pjesën kryesore e zë reduktimi i të ardhurave tatimore me rreth -57 miliardë lekë.