Një raport i publikuar të mërkurën tregon se 2019 ishte një tjetër vit ekstremesh për klimën e tokës duke sjellë edhe një panoramë të zymtë të realitetit për ngrohjen globale.
Vitin e kaluar u panë zjarre shkatërrimtare në Australi, rajone të shumta përfshirë Evropën, Japoninë, Pakistani dhe Indinë përjetuan valë vdekjeprurëse të nxehti. Thuajse 100 ciklonë tropikalë shkaktuan kaos. Akullnajat dhe akujt në dete vazhduan të shkriheshin me nivele shqetësuese dhe thatësira e përmbytje shkatërruan të mbjellat dhe infrastrukturën.
Mes përfundimeve të raportit Gjendja e klimës në 2019, publikuar nga shoqëria amerikane meteorologjike, ishte edhe ai sipas të cilit 2019 ishte mes viteve më të nxehta të regjistruar ndonjëherë; se gazrat që shkaktojnë efektin serë në atmosferën e tokës ishin në nivelet më të larta të regjistruara dhe se kjo dekadë është më e nxehta që kur regjistrimi i të dhënave ka filluar në mes të viteve 1800.
“Çdo dekadë që nga 1980 ka qenë më e nxehtë se paraardhësja me rreth 0.2 gradë celcius”, thotë raporti. Shkak kryesor për ndryshimin e klimës, sipas tij, është bollëku i shumë gazrave jetëgjatë që shkaktojnë efektin serë e që vazhdojnë të shtohen në atmosferë.