MENU
klinika

Shqipëria humb 1.8 miliardë euro

Dy fatkeqësitë që groposën ekonominë

08.08.2020 - 19:52

Pandemia e koronavirusit ka hapur një gropë të madhe në ekonominë shqiptare ku për vitin 2020 rrezikohet që humbja të shkojë në 1.8 miliard euro. Ky është parashikimi që ka bërë qeveria shqiptare në buxhetin e rishikuar.

Të dhënat e Ministrisë së Financave në buxhetin e rishikuar për këtë vit flasin për një ulje të prodhimit të brendshëm bruto në 12.7 miliard euro nga 14.5 miliard euro që ishte në vitin 2019.

Këto janë pasojat që pandemia ka lënë në ekonominë shqiptare për shkak të izolimit dy mujor dhe pasojave që la në disa hallka të ekonomisë nga ku edhe rënia ekonomike pritet të jetë në 4.3%.

Shifrat negative të qeverisë përforcohen nga raportet e institucioneve ndërkombëtare.

Eurostat ka publikuar statistikën e përditësuar për vendet anëtare ku përfshihen edhe shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat flasin për një humbje prej 400 milion eurosh vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ku nuk përfshihet prilli dhe muaji maj ku masat kufizuese ishin edhe me te rrepta.