Mattia Binotto, drejtori sportiv i Ferrarit, ka hedhur poshtë zërat se Sebastian Vettel mund të largohet nga Ferrari në mes të sezonit, që në shtator të këtij viti. Ai ka konfirmuar se kontrata me 4 herë kampionin e botës do të zbatohet rregullisht. Piloti gjerman do të largohet nga “kokëkuqja” në fund të seoznit pas 6 vitesh.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në zërat që flasin për një largim të parakohshëm të Vettel. Do të ishte një mëkat po të bënim një gjë të tillë. Sebastian është pjesë e familjes tonë, pavarësisht asaj që do të ndodhë në të ardhmen. Ne besojmë tek ai si pilot dhe si njeri, ndaj nuk do ta largojmë para përfundimit të sezonit”, – tha Binotto.
Të 10-ta skuadrat aktuale të Formula 1 kanë firmosur marrëveshjen, që rregullon shpërndarjen e të ardhurave nga viti 2021 deri në vitin 2025. Marrëveshje që zyrtarizon edhe pjesëmarrjen e këtyre skuadrave në garat e Formula 1 deri në vitin 2025.
Të parët që firmosën ishin Ferrari, Williams e McLaren. Më pas erdhën firmat edhe të skuadrave të tjera, përfshi edhe Mercedes, që kishte disa pakënaqësi për marrëveshjen dhe kërcënuan me largim nga garat.
Makina gjermane nuk ishte dakord që Ferrari, si makina që ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e Formula 1, të kishte një bonus financiar më të lartë se të tjerat. “Kjo marrëveshje do të garantojë një të ardhme të qëndrueshme afatgjatë në Formula 1, falë edhe rregullave të reja që do të hyjnë në fuqi vitin 2022”, – thuhet në komunikatën e FIA-s.